MaqedoniTop Lajme

Mexhiti: Do të modernizojmë çdo shkollë, mësim në një ndërrim, oborre dhe salla të rinovuara, pajisje IT

Shpërndaje

Kandidati i koalicionit VLEN për kryetar të Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka prezantuar sot shtyllën e dytë të programit të tij zgjedhor – arsimin, si bazë e zhvillimit të qëndrueshëm dhe përparimit të komunës.

“Vizioni ynë është i qartë dhe i pakompromis: të krijojmë një komunë ku çdo fëmijë do të ketë qasje në arsim cilësor, në shkolla moderne dhe të sigurta, ku do të mund t’i zhvillojë talentet dhe të realizojë plotësisht potencialin e tij. Për këtë qëllim, kemi paraparë projekte konkrete, të realizueshme dhe financiarisht të siguruara.”, theksoi Mexhiti në fjalën e tij para qytetarëve, mësimdhënësve dhe mediave.

Postimi i plotë:

Arsimi është themeli mbi të cilin zhvillohet shoqëria. Prandaj, programi ynë parashikon investime madhore, ku çdo fëmijë do të ketë arsim cilësor, shkolla moderne dhe kushte të sigurta për zhvillimin e plotë të potencialit të tij.

Do të realizojmë ciklin më të madh të investimeve në arsim: ndërtimin e tre çerdheve të reja, një shkolle për 1300 nxënës në Teneqe Mahallë, shkollës për fëmijë me nevoja të veçanta “Idnina”, si dhe zgjerimin e “Hasan Prishtina” dhe “Ismail Qemali”. Do të ndërtohet edhe një sallë sportive moderne në “Jashar Bej Shkupi”.

Do të modernizojmë çdo shkollë: mësim në një ndërrim, oborre dhe salla të rinovuara, pajisje IT në çdo klasë dhe qasje të plotë për fëmijët me aftësi të kufizuara.

Do të japim bursa për nxënësit e dalluar, pajisje dhe libra falas për nxënësit e klasës së parë, si dhe trajnime në teknologji dhe aktivitete sportive shkollore.

Në qendër të këtij programi qëndron kampusi universitar “Nënë Terezë”, një investim prej 40 milionë eurosh që e shndërron Çairin në qendër akademike dhe zhvillimore.

Mjetet për të gjitha këto projekte janë të siguruara. Tani është koha t’i realizojmë dhe ta bëjmë arsimin shtyllën më të fortë të zhvillimit në Çair.