MaqedoniTop Lajme

Mexhiti: Shtylla e tretë e programit tonë paraqet vizionin për investimin në Çarshinë e Vjetër të Shkupit

Shpërndaje

Kandidati për Komunën e Çairit, Izet Mexhiti, ka prezantuar shtyllën e tretë të programit të tij, e cila përqendrohet në investimin strategjik në Çarshinë e Vjetër të Shkupit — një projekt madhor dhe tashmë i financuar, që synon të kthejë këtë zonë historike në zemrën e zhvillimit kulturor, ekonomik dhe turistik të qytetit, njofton albazone media.

Sipas planit, investimet përfshijnë restaurimin e rrugëve tradicionale si “Saraçka”, “Papuxhiska”, “Petar Mihov”, “Samarxhiska” dhe “Kovaçka”, si dhe rinovimin e fasadave të dyqaneve duke ruajtur pamjen autentike të Çarshisë. Ndërkohë, instalimi i rrjetit të ri të ndriçimit do të rrisë sigurinë dhe do të nxjerrë në pah vlerat arkitektonike të kësaj zone gjatë natës.

Njoftimi i plotë nga konferenca për shtyp:

Shtylla e tretë e programit tonë paraqet vizionin për investimin në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, një projekt madhor, i financuar dhe i realizueshëm që synon ta kthejë këtë zonë historike në qendër të zhvillimit kulturor, ekonomik dhe turistik të qytetit.

Investimet kapitale janë tashmë të sigurura dhe përfshijnë restaurimin e rrugëve “Saraçka”, “Papuxhiska”, “Petar Mihov”, “Samarxhiska” dhe “Kovaçka”, si dhe rinovimin e fasadave të dyqaneve me ruajtjen e pamjes autentike. Po realizohet gjithashtu instalimi i një rrjeti të ri ndriçimi, që do të rrisë sigurinë dhe do të theksojë vlerat arkitektonike të Çarshisë gjatë orëve të mbrëmjes.
Përmes projektit “Çarshia Digjitale” po mundësohet integrimi i teknologjisë moderne në promovimin e trashëgimisë sonë kulturore. Tabelat interaktive, Wi-Fi falas dhe aplikacioni informues do t’u ofrojnë vizitorëve një përvojë bashkëkohore dhe qasje të lehtë në të dhëna historike.

Në përputhje me standardet evropiane, po investohet edhe në ndërtimin e tualeteve publike moderne, të pastra dhe të qasshme për të gjithë. Paralelisht, do të restaurohen dhe mbrohen objektet me vlerë të veçantë kulturore e arkitekturore: Kurshumli An, Kapan An, Suli Hani, Çifte Hamam, Hamami i Daut Pashës, Shengjyl Hamami dhe Bezisteni.

Kurora e këtij procesi do të jetë ndërtimi i pjesës së tretë të Sheshit “Skënderbeu” dhe parkingut nëntokësor me dy kate, një investim prej 25 milionë eurosh tashmë i siguruar nga Qeveria. Ky projekt do të lehtësojë qasjen, do të përmirësojë funksionalitetin urban dhe do të përmbyllë fazën e parë të rilindjes së plotë të Çarshisë.

Ky është një plan i detajuar, me buxhet të garantuar dhe afate të përcaktuara, që do ta kthejë Çarshinë e Vjetër në një pol të ri zhvillimi dhe në një pikë identitare të Çairit bashkëkohor.