MaqedoniTop Lajme

Mickoski: Energjia e qëndrueshme nuk është zgjedhje politike, por detyrim moral ndaj brezave të ardhshëm

Shpërndaje

Nga Shkupi sot dërgojmë porosinë se energjia e qëndrueshme nuk është zgjedhje politike, por detyrim moral ndaj gjeneratave të ardhshme. Energjia është zemra e ekonomisë. Dhe nëse ajo zemër rreh rregullisht, i gjithë sistemi jeton. Ta mbajmë atë ritëm është përgjegjësia jonë e përbashkët, por edhe mundësia jonë më e madhe, tha sot kryeministri Hristijan Mickoski në hapjen e Forumit të 14-të ndërkombëtar të energjetikës dhe zhvillim të qëndrueshëm të titulluar “Nga qëllimet në veprim: Duke i dhënë së ardhmes energji të qëndrueshme” që mbahet në Shkup.

Çdo investim në energji të pastër, sipas kryeministrit është investim në jetë, shëndet, stabilitet dhe përparim.

“Çdo teknologji e re që e zbatojmë, çdo kilovat që e prodhojmë pa ndotje – është një hap drejt një ekonomie që do ta fuqizon të ardhmen. Qëllimi ynë nuk është vetëm të përmbushim qëllimet ndërkombëtare. Qëllimi ynë është të krijojmë ekonominë e së ardhmes – inteligjente, digjitale, të gjelbër dhe rezistente”, ka thënë Mickoski.

Është një nder i madh, sipas tij që pikërisht Shkupi sot është nikoqir i këtij Forumi të 14-të ndërkombëtar për energjetikë dhe zhvillim të qëndrueshëm — një ngjarje që bashkon mendjet më të mëdha, vizionarët dhe praktikuesit nga mbi 70 vende.

“Ky është një moment krenarie, por edhe moment përgjegjësie. Jam krenar që Maqedonia sot është në qendër të debatit botëror për të ardhmen e energjisë dhe edhe më krenar që bota po na sheh jo si një vend të vogël, por si një partner serioz i cili në mënyrë aktive po formëson agjendën për zhvillim të qëndrueshëm.

Fakti që sot këtu në Shkup zhvillohet ky diskutim global tregon se e ardhmja energjetike rajonale mund dhe duhet të ndërtohet pikërisht këtu, në vendin tonë”, ka thënë Mickoski.

Kjo, tha ai është mundësia jonë për të treguar se një vend me sipërfaqe të vogël mund të ketë ndikim të madh – kur ka vizion të qartë, vendosmëri dhe udhëheqje.
Kryeministri nënvizoi se energjetika është e vendosur në krye të agjendës shtetërore – jo si një çështje teknike, por si prioritet nacional dhe strategji shtetërore.

“Tranzicioni energjetik dikur dukej i paarritshëm, i kushtueshëm dhe i ngadalshëm. Por ne po e bëjmë të mundur. Çdo panel diellor, çdo turbinë ere, çdo termocentral i ri që punon me energji të pastër – është pjesë e luftës sonë moderne për pavarësi”, tha ai.

Tha se bota sot po ndryshon me një ritëm të përshpejtuar dhe ajo që dikur nënkuptonte furnizues të sigurt, sot do të thotë sistem fleksibël, treg rezistent dhe burime të pastra energjie.

“Stabiliteti energjetik nuk është më vetëm çështje ekonomike, por edhe çështje sigurie. Turbulencat globale na kujtojnë se pavarësia energjetike është kusht për liri ekonomike. E pa liri nuk ka zhvillim, nuk ka stabilitet dhe as dinjitet”, shtoi kryeministri.

Qeveria, tha ai, qëndron fuqishëm pas reformave që po i zbaton Ministria e Energjetikës por edhe më e rëndësishme – po e ndërton lidhjen midis politikës dhe vizionit.

“Vizioni ynë është i qartë: ta përgatisim shtetin për të ardhmen – për sfidat klimatike, për ndryshimet teknologjike dhe për rreziqet globale. Të krijojmë një shembull rajonal të një ekonomie energjetike të qëndrueshme, të pastër dhe të pavarur. E dimë se kjo kërkon kohë, resurse dhe këmbëngulje. Por edhe më shumë kërkon besim në forcat tona”, tha Mickoski.

Tranzicioni, sipas tij, nuk është vetëm teknologjik, ai është mendor, i vlefshëm dhe civilizues.

“Në muajt e fundit kemi bërë hapa të rëndësishëm përpara: kemi filluar me investime intensive në burime të ripërtëritshme të energjisë, kemi vendosur korniza të qarta rregullatore, kemi ndërtuar interkonektorë energjetikë me vendet fqinje dhe kemi nisur programe për efikasitet energjetik në sektorin publik dhe privat. Po ndërtohen parqe diellore dhe me erë që vetëm një dekadë më parë ishin një vizion në letër. Sot ato janë realitet — pjesë e rrjetit që ushqen të ardhmen. Paralelisht, po investojmë në kapitalin njerëzor, sepse e dimë se energjia nuk vjen vetëm nga natyra, por edhe nga njerëzit që krijojnë, inovojnë dhe ëndërrojnë”, ka thënë MIckoski.

Energjia, nënvizoi ai, mund të matet në xhaul, megavat-orë apo fuçi, por ekziston edhe një energji që nuk matet në laborator – energjia njerëzore, energjia e vizionit, e punës dhe e përkushtimit.

“Pikërisht këtë energji e ndiej sot këtu, në këtë sallë. Është ajo energji që e lëviz Maqedoninë – një popull që nuk ka frikë nga ndryshimet, por i përqafon ato si sfidë dhe si mundësi. Siç tha Uinston Çërçill: “Mos lejo që kohët e krizës të kalojnë pa i shfrytëzuar për të krijuar diçka të re.” Dhe ne ashtu veprojmë. Krizat globale nuk i përjetojmë si pengesa, por si nxitje për zgjidhje të reja”, ka thënë ai.

Porositi se ecim përpara me vizion, dije dhe partneritete.

“Prandaj, lejoni që kjo konferencë të mos përfundojë me fjalë, por me vepra. Ta kthejmë energjinë e kësaj salle në hapa konkretë: hapa të investimeve, të projekteve të përbashkëta, në një rrjet besimi dhe rezultatesh. Besoj se ajo që fillon sot në Shkup do të jetë shkëndija që do të forcojë bashkëpunimin mes vendeve dhe do të na çojë drejt një të ardhmeje energjetike më të pastër, më të fortë dhe më të drejtë”, ka thënë Mickoski.