MaqedoniTop Lajme

Në Universitetin e Tetovës filloi viti akademik 2025/2026

Shpërndaje

Përmes një pritjeje solemne, Universiteti i Tetovës sot zyrtarisht e filloi vitin e ri akademik 2025/2026. Një numër i konsiderueshëm i studentëve nga vendi, Kosova, Shqipëria dhe nga vende të tjera, ishin të pranishëm në amfiteatrin “Sevasti dhe Parashqevi Qiriazi”. Në këtë ceremoni ku morën pjesë: Kryetari i Senatit, Prof. Dr. Kenan Ferati; Prorektori për Arsim, Prof. Dr. Ibrahim Neziri; Prorektori për Shkencë, Prof. Dr. Vullnet Ameti; Prorektoria për Financa, Prof. Dr. Aida Baftjari Yzeiri; Sekretari i përgjithshëm, z.Adem Beadini; dekanë të fakulteteve dhe punonjës të tjerë, në emër të Universitetit të Tetovës studentëve iu drejtua, Rektori, Prof. Dr. Jusuf Zejneli.

Ai u uroi mirëseardhje të gjithë studentëve të rinj që i janë bashkuar këtij institucioni të arsimit të lartë në gjuhën shqipe. Sipas tij, ky është vetëm hapi i parë drejt ndjekjes së ëndrrave dhe arritjes së qëllimeve. “Ndërsa të gjithë ju nisni këtë udhëtim të ri, është e rëndësishme të mbani mend se nuk jeni vetëm. Ne jemi këtu për t’ju mbështetur dhe për t’ju udhëhequr në çdo hap të këtij rrugëtimi. Ky institucion është më shumë sesa thjesht një vend për të studiuar, është vendi që do t’ju përkrahë dhe do t’i gëzohet çdo suksesi tuaj. Ne do të përpiqemi vazhdimisht që të krijojmë për ju një mjedis më të mirë arsimor dhe t’ju ndihmojmë të arrini qëllimet tuaja akademike. Universiteti i Tetovës, është një institucion serioz i cili ofron mundësi të shkëlqyera për zhvillimin e studentëve. Nëpërmjet gamës së gjerë të programeve studimore, infrastrukturës si dhe resurseve, ne do t’ju ofrojmë mundësi të shumta zhvillimi profesional. Ju inkurajoj shumë të bëheni pjesëmarrës aktivë në diskutime, klube dhe aktivitete të ndryshme të cilat organizohen në numër të konsiderueshëm nga fakultetet e ndryshme të universitetit tonë. Këto aktivitete do ta pasurojnë përvojën tuaj, do të zgjerojnë horizontet tuaja dhe do t’ju ndihmojnë të krijoni miqësi dhe bashkëpunime të vlefshme. Këtu në Universitetin se Tetovës, përveçse ju do të zgjeroni njohuritë tuaja dhe do të eksploroni fusha të reja, do të takoni profesorë dhe studentë të tjerë që do t’ju inkurajojnë të shfrytëzoni potencialin tuaj dhe të arrini qëllimet tuaja. Jini të hapur ndaj ideve të reja, qasjuni studimeve tuaja me pasion dhe përkushtim dhe përpiquni për rritje dhe përmirësim të vazhdueshëm. Është gjithashtu e rëndësishme të mbani mend se stafi dhe administrata e Universitetit tonë janë gjithmonë pranë jush për t’ju mbështetur dhe inkurajuar.”- tha Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli.
Në shenjë simbolike, udhëheqësia e Universitetit tonë ndau disa indekse për studentët tanë. Universiteti i Tetovës vazhdon të jetë pikë referimi në arsimin e lartë, duke ofruar mundësi të shumta për zhvillimin profesional të studentëve.