MaqedoniTop Lajme

Nënshkruhet memorandum bashkëpunimi ndërmjet universitetit “NËNË TEREZA” në Shkup dhe kompanisë “AVANT CAR”

Shpërndaje

Shkup, 08.10.2025 – Në hapësirat e Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, u nënshkrua Memorandumi i Bashkëpunimit ndërmjet Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, të përfaqësuar nga rektori, Prof. Dr. Bekim Fetaji, dhe kompanisë për shërbime mobile Avant Car, të përfaqësuar nga drejtori Martin Milevski.

Ky memorandum, i nënshkruar në kuadër të projektit për ndarjen e automjeteve elektrike “Avant2Go”, parasheh zhvillimin e bashkëpunimit ndërinstitucional me qëllim promovimin e mobilitetit të gjelbër dhe zgjidhjeve të qëndrueshme për transportin urban në qytetin e Shkupit.

Nëpërmjet këtij bashkëpunimi, palët angazhohen për vendosjen e automjeteve elektrike në dispozicion të studentëve dhe stafit akademik të UNT-së, me qëllim lehtësimin e lëvizjes, uljen e ndotjes dhe përmirësimin e cilësisë së jetës në ambientet universitare dhe rrethinat urbane.

Në këtë takim pune, rektori i UNT-së, Prof. Dr. Bekim Fetaji, ishte i shoqëruar nga tre prorektorët Prof. Inor. Dr. Fati Iseni, Prof. Inor. Dr. Diturije Ismaili dhe Prof. Dr. Zoran Gacovski, si dhe Mr. Alajdin Memedi, Mr. Driton Zendeli. Gjatë takimit, rektori Fetaji theksoi se ky memorandum përfaqëson një hap konkret drejt ndërtimit të një universiteti më ekologjik, inovativ dhe të orientuar drejt zhvillimit të qëndrueshëm, duke integruar teknologjitë moderne në funksion të studentëve dhe avancimit të arsimit universitar.

Drejtori Milevski i shoqëruar nga z. Darko Stefanovski., vlerësoi bashkëpunimin me Universitetin “Nënë Tereza” si shembull të mirë të ndërthurjes së sektorit akademik me iniciativat private për mobilitet të qëndrueshëm dhe mbrojtje të mjedisit.

Ky memorandum është nënshkruar për një periudhë gjashtëvjeçare, me mundësi zgjatjeje, dhe përfshin instalimin e stacioneve të karikimit të automjeteve elektrike Avant2Go në hapësirat e universitetit, si dhe përdorimin pa pagesë të një numri të caktuar të vendeve të parkimit për flotën e automjeteve elektrike.