RajoniTop Lajme

Nga janari paga minimale 500 euro në Kosovë

Shpërndaje

Ka përfunduar takimi i Ministrit në detyrë të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati me përfaqësuesit e institucioneve dhe shoqatave të ndryshme për të diskutuar rreth çështjes së rritjes së pagës minimale.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve Privat, Jusuf Azemi, ka folur pas takimit. Azemi ka thënë se kërkesa e tyre ishte që paga minimale në sektorin privat të jetë 600 euro, megjithatë tregoi se janë pajtuar që nga muaji janar i vitit të ardhshëm, kjo pagë të jetë 500 euro.

“Është diskutuar për pagën minimale. Ne kemi kërkuar që paga minimale të jetë 600 euro në sektorin privat. Unë e kam pa pëlqimin e njerëzve kompetentë ose qeverisë në detyrë, që vlerësimi i tyre është që kjo pagë të jetë 500 euro dhe e kam pyetur nëse gjithçka shkon në rregull, kur mendoni të fillojë së implementuari. Sipas deklarimit të ministrit është thënë që paga minimale prej 500 euro të fillojë së implementuari në janar, por megjithatë nuk e ka hedhur poshtë edhe propozimin tonë për shumë 600 euro. Nga të gjithë akterët që ishim jemi pajtuar që paga minimale të jetë 500 euro dhe të fillojë së implementuari në janar”, tha Azemi pas takimit

Ndërkaq, përfaqësuesi i Dhomës së Tregtisë së Kosovës, tha se kanë kërkuar që rritja e pagës minimale të fillojë nga janari, kur të ketë një qeveri të re funksionale.