Nisi rrethimi i deponisë “Drislla”, në të ardhmen pritet të shndërrohet në qendër moderne për riciklim
Nisën punët për rrethimin e deponisë Drislla.
Për ta parë këtë nga afër shkoi ministri i mjedisit Izet Mexhiti, i shoqëruar nga kandidati i VMRO-DPMNE-së për kryetar të Shkupit Orce Gjeorgjievski dhe kandidati i VLEN-it për kryetar të Studeniçanit, Sedat Bislimi.
“Edhe këtu në vendngjarje nga sot fillojmë me zbatimin e projektit për rikonstruimin e rrethojës dhe themelit përmes deponisë Drislla. Me mjetet e ministrisë së mjedisit jetësor në vlerë prej 9 milionë denarësh do të ngritet rrethim prej 4800 metrash me lartësi 1.5 metër”, pohoi Izet Mexhiti, ministër i Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor.
“Ky aktivitet ka filluar sot me rrethimin e deponisë drislla dhe në të ardhmen në bashkëpunim me Qeverinë dhe me Qytetin e Shkupit dhe me z.Orce do të bëjmë edhe prioritete të tjera që ka të bëjë me drisllën”, pohoi Sedat Bislimi, kandidat i VLEN-it për kryetar komune në Studeniçan.
Gjeorgjievski premtoi se nëse e merr mandatin për të udhëhequr me kryeqytetin, në Drislla do të ndërtohet Qendër bashkëkohore për riciklimin e mbeturinave.
“Që më në fund, nga njëra anë, do të mbrojë shëndetin e bashkëqytetarëve tanë, punonjësit do të kenë kushte shumë më të përshtatshme se ato në të cilat punojnë sot, dhe nga ana tjetër, ne si kryeqytet do të përfitojmë”, u shpreh Orce Gjeorgjievski, kandidat i VMRO-së për kryetar në Qytetin e Shkupit.
I pyetur se kush do të udhëheqë me ndërmarrjen Drislla, Gjeorgjievski tha se janë partnerë koalicioni me VLEN-in dhe se janë të fokusuar në idetë e tyre, mirëpo shtoi se do të jenë partner edhe në Qytetin e Shkupit.
Postimi nga MEXHITI:
Pas pastrimit të deponisë, po i vihet pika një prej plagëve më të mëdha të kryeqytetit, Drisllës.
Do vendosen rrethojat, që do të pamundësojnë hyrjen e paautorizuar dhe hedhjen ilegale të mbeturinave.
Asnjë mbeturinë ilegale më. Asnjë hyrje pa leje. Asnjë kompromis me ndotjen. Kjo është qasja jonë, të pastrojmë, të mbrojmë dhe të ndërtojmë.
Drislla po bëhet simbol i ndryshimit të vërtetë: nga deponi e braktisur, në projekt të kontrolluar e me standarde evropiane.
Kjo është fitorja e qytetarëve dhe shembulli i qeverisjes që vepron, jo që justifikohet.