BotaTop Lajme

Palestinezët kthehen në shtëpitë e tyre të rrënuara në Gaza pas sulmeve vdekjeprurëse izraelite

Shpërndaje

Teksa armëpushimi ka filluar të zbatohet në Gaza, dhjetëra mijëra palestinezë të zhvendosur nga Qyteti Gaza po kthehen në qytetin e tyre të shkatërruar nga bombardimet izraelite, raporton Anadolu.

Ushtria izraelite goditi Qytetin Gaza me sulme ajrore dhe granatime artilerie në kuadër të një plani për të pushtuar të gjithë qytetin, ku banojnë më shumë se 1 milion palestinezë.

Si pjesë e sulmit, ushtria izraelite shënjestroi kulla të larta në të gjithë qytetin, duke shembur dhjetëra ndërtesa që dikur simbolizonin zhvillimin e qytetit pas pushtimit. Sulmet gjithashtu shkatërruan restorante, kafene dhe vende argëtimi në të gjithë qytetin.

Ushtria izraelite pretendoi se kullat e larta dyshohet se janë përdorur nga Hamasi për qëllime të mbledhjes së inteligjencës, pa dhënë prova specifike. Hamasi e ka mohuar vazhdimisht pretendimin izraelit.

OKB-ja ndalon shkatërrimin e pronës civile në zonat nën pushtim, përveç nëse është “absolutisht e nevojshme për operacione ushtarake”. OKB-ja ka përfshirë sulme të tilla izraelite ndër provat e shqyrtuara nga një komision hetimor, që arriti në përfundimin se Izraeli ka kryer gjenocid në Gaza.

Që nga tetori i vitit 2023, sulmet izraelite kanë vrarë të paktën 67.600 palestinezë në Gaza, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, si dhe e ka kanë kthyer enklavën praktikisht në të pabanueshme.

Shkatërrim masiv po zbulohet në të gjithë Gazën pas armëpushimit

Shkatërrim i gjerë po zbulohet në të gjithë pjesën veriore të Rripit të Gazës pas fillimit të zbatimit të marrëveshjes së armëpushimit, me pamje nga terreni që tregojnë rrugë të mbushura me mbetje municionesh dhe raketash izraelite, raporton Anadolu.

Armëpushimi, që hyri në fuqi pas sulmeve të rënda izraelite, tregoi pamjen e parë të qartë të dëmeve në Rripin e Gazës, ku ndërtesat e dëmtuara rëndë dhe rrugët me kratere nga bombardimet theksuan intensitetin e armiqësive izraelite.

Marrëveshja, e njoftuar të mërkurën, parashikon një armëpushim në Gaza, lirimin e të gjitha pengjeve izraelite në këmbim të rreth 2 mijë të burgosurve palestinezë dhe një tërheqje graduale të forcave izraelite nga e gjithë enklava.

Një fazë e dytë e planit kërkon krijimin e një mekanizmi të ri qeverisës në Gaza pa pjesëmarrjen e Hamasit, formimin e një force sigurie të përbërë nga palestinezë dhe trupa nga vendet arabe dhe islame, si dhe çarmatimin e Hamasit.

Që nga tetori i vitit 2023, sulmet izraelite kanë vrarë të paktën 67.200 palestinezë në Gaza, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, si dhe e kanë kthyer enklavën praktikisht në të pabanueshme.