Presidentja e KE-së: Shqipëria është në rrugën e duhur drejt Bashkimit Evropian
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka deklaruar se Shqipëria është në rrugën e duhur drejt Bashkimit Evropian, raporton Anadolu.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është takuar me presidenten e KE-së në selinë e Kryeministrisë së Shqipërisë, ku më pas është mbajtur konferenca e përbashkët për mediat.
– Rama: Procesi i negociatave me BE-në është duke ecur me shumë shpejtësi
Kryeministri Rama ka deklaruar se me presidenten Von der Leyen kanë pasur një bashkëbisedim që ka prekur të gjitha temat e interesit të përbashkët.
“Presidentja (Ursula von der Leyen) dhe Komisioni aktual i japin një rëndësi të posaçme Ballkanit Perëndimor. Në këtë aspekt kemi folur për ecurinë e procesit të negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian, një proces i cili në këndvështrimin tonë, por edhe sa unë dëgjova nga presidentja është duke ecur me shumë mbarësi dhe me shumë shpejtësi”, tha Rama.
Rama u shpreh se folën edhe për planin e ri të rritjes që është vënë në dispozicion të Ballkanit Perëndimor, për forcimin e bashkëpunimit në rajon dhe për forcimin e sigurisë në rajon.
“Kemi prekur edhe çështjen e rezistencës së Ukrainës ndaj agresionit rus edhe në këtë pikë jemi plotësisht dakord që duhet të vazhdojmë të mbështesim pa rezervë Ukrainën”, tha ndër të tjera Rama.
– Von der Leyen: Shqipëria e do Evropën
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen u shpreh se Shqipëria e do Evropën.
“Mesazhi im i parë është mjaft i qartë: Shqipëria është në rrugën e duhur drejt Bashkimit Evropian. Ju keni bërë një rrugë shumë të gjatë, keni bërë progres, por unë tani dua të theksoj që është një progres i mrekullueshëm dhe një shpejtësi rekord dhe një përshpejtim i vërtetë në tre vitet e fundit. Pesë nga gjashtë grupkatpitujt janë tashmë të hapura, ne planifikojmë që të hapim të fundit këtë vjeshtë”, tha ajo.
Presidentja e KE-së tha ndër të tjera se qëllimi i Shqipërisë është që të mbyllë negociatat deri në vitin 2027 dhe kjo sipas saj është ambicioze, duke shtuar se “ne na pëlqen ambicia”.
“Momenti gjeopolitik është tani sepse agresioni i Rusisë kundër Ukrainës ka riformësuar kontinentin tonë dhe çdo komb evropian duhet të zgjedhë vendin e tij. Shqipëria e ka bërë zgjedhjen e saj. Ju jeni plotësisht në përputhje me politikën e jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian”, tha Von der Leyen.
Rama dhe Von der Leyen do të marrin pjesë edhe në Forumin e Investimeve midis Bashkimit Evropian (BE) dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Pas Shqipërisë, presidentja e KE-së do të vazhdojë turin e vizitave në vendet e rajonit.
Tiranë – Konferenca e parë e Investimeve EU–WB6 (Bashkimi Europian – Ballkani Perëndimor), një ngjarje historike që bashkon vendet e rajonit, vendimmarrësit e Bashkimit Europian dhe investitorë nga e gjithë bota në Shqipëri
Kryeministria – Konferencë e përbashkët për shtyp me Presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen
Kryeministria – Ceremonia zyrtare e pritjes së Presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen