MaqedoniTop Lajme

Prokuroria kërkon paraburgim për drejtorin Sabahudin Rustemi dhe udhëheqësin Aki Saiti për mosgrumbullimin e mbeturinave në Shkup

Shpërndaje

Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka nxjerrë Urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore ndaj dy personave, për shkak të dyshimeve për kryerje të veprës penale – Kërcënimi i mjedisit dhe natyrës me mbeturina, sipas nenit 230, paragrafi 1 të Kodit Penal.

Të dyshuarit, nga të cilët njëri është drejtor në detyrë, ndërsa tjetri është menaxher për mbeturina në Ndërmarrjen Publike “Komunale Hygjiena” – Shkup, kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për menaxhimin e mbeturinave dhe me detyrat e tyre bazë për mbledhjen dhe transportin e rregullt të mbeturinave të padëmshme në territorin e Qytetit të Shkupit, si dhe me detyrimet e parashikuara në Programin Operativ për mbledhjen dhe transportin e mbeturinave komunale dhe Plani Operativ për mirëmbajtjen e pastërtisë publike në qytet.

Me moskontrollimin e plotë të mbledhjes dhe transportit të mbeturinave komunale dhe me menaxhim të papërshtatshëm të tyre, ata kanë mundësuar që gjatë këtij muaji të krijohen deponi të vogla në hapësira publike dhe rrugore, pranë kontejnerëve të parashikuar për mbledhjen e mbeturinave, duke shkaktuar dëmtim të konsiderueshëm të cilësisë së tokës, ajrit dhe ujit, dhe duke rrezikuar jetën dhe shëndetin e njerëzve për shkak të mundësisë së sëmundjeve infektive ose të tjera.

Këto dyshime janë konfirmuar edhe përmes kontrolleve të jashtëzakonshme inspektimore nga inspektorët lokalë për mjedisin, të cilët dolën në terren me udhëzime të prokurorisë, si dhe përmes opinionit ekspert të Institutit për Shëndetin Publik mbi ndikimin e mbeturinave në shëndetin publik dhe mundësinë e përhapjes së sëmundjeve infektive.

Për shkak të rrezikut nga ndikimi te dëshmitarët dhe mundësisë për përsëritje të veprës penale, prokurori ka dorëzuar pranë Gjykatës Themelore Penale në Shkup propozim për caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarit.