RajoniTop Lajme

Qeveria në detyrë ndan nga 100 euro për studentë

Shpërndaje

Qeveria në detyrë ka ndarë nga 100 euro për studentët. Gjithashtu ka miratuar edhe bursën e mobilitetit për studentët e nivelit bachelor, për t’i mbështetur ata që studiojnë larg qytetit ku jetojnë.

Ky vendim u morr sot në mbledhjen e qeverisë në detyrë, ku kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se përderisa formimi i institucioneve të reja po mbahet pezull, sipas tij, ekonomia po rritet.

Ekonomia ka shënuar rritje prej 4.58 për qind të brutoproduktit vendor në tremujorin e dytë, sipas Kurtit.

Andaj, në kuadër të kësaj, është miratuar vendimi për ndarjen nga 100 euro për studentët që plotësojnë kriteret.

Gjithashtu, u miratua edhe vendimi për bursën e mobilitetit për studentët bachelor, ku janë ndarë 20 milionë euro, sipas së cilës shuma e mbështetjes do të varet nga distanca ndërmjet vendit ku studiojnë.

“Rritjen ekonomike e ndajmë me gjithë qytetarët. Në kuadër të kësaj, sot miratojmë vendimin për ndarjen nga 100 euro për studentët që i plotësojnë kriteret, ashtu që ata dhe familjet ta kenë më të lehtë përballimin e kostove që lidhen me fillimin e ri të vitit akademik. Të dashur studentë sot do të miratojmë edhe përmbushjen e njërit prej premtimeve kyçe, atë për bursën e mobilitetit për studentët bachelor. Masë e përhershme e e mbështetje e vazhdueshme dhe shuma e mbështetjes do të varet nga distanca ndërmjet vendbanimit dhe vendit ku ju studioni”, tha Kurti.