MaqedoniTop Lajme

Sabotohen fluturimet çarter me votues shqiptarë nga diaspora?

Shpërndaje

Gazeta KOHA ka mësuar se Drejtoria e Aviacionit Civil (DAC) po vonon në mënyrë të qëllimshme dhënien e lejeve për aterim për aeroplanët çarter që pritet të mbërrijnë nesër dhe të shtunën në aeroportet e Shkupit dhe Ohrit, me pasagjerë kryesisht shqiptarë nga diaspora, të cilët synojnë të marrin pjesë në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale.

Sipas burimeve të gazetës, drejtori i DAC-së, Dragi Stojanovski, kuadër i VMRO-DPMNE-së, po vonon dhënien e përgjigjeve pozitive për kërkesat e agjencive turistike që kanë siguruar fluturimet çarter.

Bëhet fjalë për avionë që vijnë nga Zvicra, Gjermania, Italia dhe vende të tjera të Evropës, të cilët kanë aplikuar për leje aterimi në aeroportet e vendit, por që ende nuk kanë marrë përgjigje zyrtare nga autoritetet kompetente.

“Janë votues kryesisht shqiptarë të organizuar të diasporës që duan të votojnë në Bërvenicë, Kërçovë dhe Strugë. Agjencitë që organizojnë fluturimet çarter ankohen se, edhe pse kanë dorëzuar kërkesat sipas rregullit dhe në afat, përgjigjet mungojnë”, kanë deklaruar për KOHA disa përfaqësues të diasporës që tashmë kanë blerë biletat e udhëtimit.

Burimet thonë se vonesat janë të qëllimshme dhe përkojnë me përpjekjet e strukturave partiake për të penguar ardhjen e votuesve shqiptarë nga diaspora, të cilët në raundin e parë kanë pasur ndikim të dukshëm në disa komuna me shumicë shqiptare. Nga Drejtoria e Aviacionit Civil ende nuk ka ndonjë reagim zyrtar lidhur me këto akuza, ndërsa situata pritet të qartësohet në orët në vijim, pasi shumë prej fluturimeve janë planifikuar për të premten dhe të shtunën – vetëm një ditë para votimit.