Shpërthejnë përleshjet midis policisë dhe protestuesve pro-palestinezë në Zvicër
Përleshjet kanë shpërthyer midis policisë dhe demonstruesve gjatë një tubimi pro-palestinezë në qytetin zviceran Bern, raporton Anadolu.
Më shumë se 2 mijë njerëz u tubuan në qendër të qytetit Bern dhe marshuan drejt Pallatit Federal për të protestuar kundër sulmeve të Izraelit në Rripin e Gazës.
Policia ngriti barrikada përpara ndërtesës së parlamentit dhe kur disa protestues të maskuar filluan të veprojnë në mënyrë agresive duke u përpjekur të thyejnë barrikadat, policia përdori gaz lotsjellës dhe topa uji për të shpërndarë turmën.
Njësi shtesë policore nga kantone të tjera u dërguan në vendngjarje, ndërsa zjarrfikësit ndërhynë për të shuar një zjarr të vogël të shkaktuar nga fishekzjarret e hedhur nga protestues.
Policia raportoi dëme materiale dhe njoftoi se nuk do të lejohen marshime të mëtejshme në qendër të qytetit.