Kronikë e zezëRajoniTop Lajme

U qëllua me armë zjarri në Gjykatën e Apelit në Tiranë, ndërron jetë gjyqtari (DETAJET)

Shpërndaje

Ka ndërruar jetë gjyqtari Astrit Kalaja i cili u qëllua me armë zjarri nga 30-vjeçari Elvis Shkambi brenda sallës së Gjyaktës së Apelit, Tiranë.

17:14 Vrau gjyqtarin brenda sallës së Gjykatës së Apelit, zbardhet dëshmia e autorit

Është zbardhur dëshmia e autorit të vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalasë Brenda sallës së Gjykatës së Apelit. Siç mëson gazetarja e Top Channel, Dorjana Bezat, në dëshminë e tij, autori pretendon se i është bërë padrejtësi në proces.

16:55 FOTO/ Vrasja e gjyqtarit në sallën e Gjykatës së Apelit, pamje nga vendngjarja

Gjyqtari i Gjykatës së Apelit, Astrit Kalaja, është qëlluar për vdekje ditën e sotme brenda sallës së gjyqit, ndërsa dy persona të tjerë mbetën të plagosur. Autori i arrestuar është 30-vjeçari, Elvis Shkambi.

16:53 Vrasja me armë zjarri në sallën e gjyqit, kush janë babë e bir që mbetën të plagosur gjatë atentatit ndaj gjyqtarit Astrit Kalaja

Një ngjarje tronditëse ka ndodhur mesditën e sotme, ku brenda sallës së Gjykatës së Apelit në Tiranë, duke kryer detyrën, gjyqtari Astrit Kalaja u qëllua me armë zjarri nga Elvis Shkambi. Dy persona të tjerë mbetën të plagosur nga kjo ngjarje, të cilët gjithashtu ndodheshin në sallën e gjyqit. Ata janë Rakip Kurtaj, 65 vjeç dhe Ervis Kurtaj, 45 vjeç, atë e bir.

16:43 Babë e bir mbetën të plagosur me armë zjarri në sallën e gjyqit, si paraqitet gjendja e tyre shëndetësore

Dy persona mbetën të plagosur gjatë ditës së sotme në sallën e gjyqit në Gjykatën e Apelit. Babë e bir janë të plagosurit, teksa kanë mbetur të plagosur në disa pjesë të trupit. Babai ka plagë të lehta në kraharor dhe këmbë, ndërsa i biri plagë të lehta në dorë. Gjyqtari Astrit Kalaja mbeti i vdekur si pasojë e plagëve të marra.

16:42 Vrasja e gjyqtarit brenda sallës, si i kaloi autorit ‘barrierat’ e sigurisë të Gjykatës së Apelit dhe zbrazi armën mbi Astrit Kalanë

Një ngjarje tronditëse ka ndodhur mesditën e sotme, ku brenda sallës së Gjykatës së Apelit në Tiranë, duke kryer detyrën, gjyqtari Astrit Kalaja u qëllua me armë zjarri nga Elvis Shkambi.

Por si arriti të futej brenda në sallë autori i armatosur, kur në këtë institucion, si në çdo institucion tjetër, kalohet nëpër disa kontrolle fizike dhe me detektor metalik?

Mister mbeten edhe arsyet që çuan në eliminimin fizik të gjyqtarit, dhe plagosjen e dy persona të tjerë që ndodheshin në sallë, babë e bir.

16:36 Detajet nga vrasja e Astrit Kalasë, gjyqtari kishte plagë në kraharor, mbërriti në spital pa shenja jete

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur këtë pasdite në Gjykatën e Apelit, ku pas një atentati me armë, mbeti i vdekur gjyqtari Astrit Kalaja.

Burime për Top Channel bëjnë me dije se gjykatësi kishte plagë në kraharor dhe mbërriti pa shenja jete në spital.

Autori, Elvis Shkambi, është vënë menjëherë në pranga nga policia, i cili gjithashtu plagosi dhe dy persona të tjerë, babë e bir.

16:18 U qëllua për vdekje në sallën e gjyqit, kush ishte gjyqtari Astrit Kalaja

Kush ishte Astrit Kalaja?

Astrit Kalaja ishte anëtar i zgjedhur për të tretën herë në Kolegjin Zgjedhor. Ai ka lindur në qytetin e Shkodrës dhe u diplomua në vitin 1993 në fakultetin e Drejtësisë. Sapo mbaron studimet me titullin “Jurist”, emërohet në detyrën e gjykatësit në rrethin e Shkodrës.

Shtatë vitet e fundit ushtron detyrën e anëtarit të gjykatës së Apelit, çka e dërgon në 18 numrin e viteve që e lidhin me sistemin e drejtësisë. Në kuadër të procesit të Vettingut, ai u rikonfirmua në detyrë dhjetor të 2019.

16:15 Zbardhet emri i autorit që qëlloi në sallën e gjykatës gjyqtarin Astrit Kalaja

Elvis Shkambi është autori i arrestuar i vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja dhe plagosjen e dy personave të tjerë. Ai qëlloi me armë brenda sallës së gjyqit, duke i marrë jetën gjyqtarit, ndërkohë dy të plagosurit e tjerë janë babë e bir, jashtë rrezikut për jetën. Menjëherë pas ngjarjes autori është vënë në pranga nga policia.

16:10 Vrasja me armë zjarri në Apel, arrestohet autori, sekuestrohet edhe arma

Një person i identifikuar si Elvis Shkambi është vënë në pranga. Ai vrau me armë zjarri ditën e sotme në sallën e gjyqit në Apel, gjykatësin Astrit Kalaja. Arma e krimit është sekuestruar menjëherë pas krimit. Përveç viktimës, të plagosur kanë mbetur edhe dy persona, babë e bir.

15;50 Vrasja me armë zjarri në Gjykatën e Apelit, detaje nga ngjarja e rëndë! Babë e bir mbeten të plagosur

Detaje të reja janë zbuluar nga vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja me armë zjarri në Gjykatën e Apelit. Dy persona të tjerë, babë e bir, kanë mbetur të plagosur. Autori është arrestuar, njëkohësisht arma e krimit u sekuestrua./TOPCHANNEL