Bota

Von der Leyen: Nuk mund të tolerojmë shkelje të hapësirës ajrore – balonat mbi Lituani janë provokim

Shpërndaje

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka shprehur solidaritet të plotë me Lituaninë pas incidentit me balonat që kanë hyrë në hapësirën e saj ajrore, duke i cilësuar si provokim dhe kërcënim hibrid që Bashkimi Evropian nuk mund ta tolerojë.

Ajo theksoi se ngjarja tregon nevojën për rritjen e gatishmërisë ushtarake të BE-së dhe investime të reja në pajisje dhe dronë për të mbrojtur territorin evropian, shkruan TheGuardian.

Ndërkohë Komisioni Evropian po përcjell nga afër shqetësimet e disa liderëve për planin që parashikon përdorimin e aseteve të ngrira ruse për të garantuar një kredi për Ukrainën.

Zëdhënësja e BE-së, Paula Pinho, tha se Komisioni po punon që propozimi të jetë plotësisht në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, ndërsa von der Leyen e quajti idenë ligjërisht të shëndoshë, megjithatë jo edhe të thjeshtë.

Shtetet nordike – Suedia, Danimarka, Finlanda dhe Norvegjia – mbështetën fuqishëm këtë plan dhe shpresojnë të bindin Belgjikën, e cila ende ka dyshime ligjore, duke theksuar se Rusia mbetet kërcënimi më i madh për rajonin, por theksuan se nuk janë të frikësuar, vetëm të përgatitur.

Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen paralajmëroi se Evropa po përballet me rrezikun më të madh që nga Lufta e Dytë Botërore, pasi Rusia “po përpiqet të dobësojë dhe ndajë shoqëritë tona”.

Finlanda shtoi se lufta në Ukrainë dhe sjellja e rrezikshme e Rusisë në Detin Baltik e kanë kthyer rajonin në një “zonë të nxehtë”.

Presidenti autoritar i Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko, nga ana tjetër ka reaguar ndaj vendimit të Lituanisë për të mbyllur kufirin për shkak të balonave që kanë ndërprerë trafikun ajror, duke e quajtur justifikim absurd.

Ai gjithashtu kritikoi ashpër planin e BE-së për përdorimin e aseteve të ngrira ruse, duke e quajtur “vjedhje”.

Por, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenksy po pret që çështja e asteve të ngrira ruse të zgjidhet derisa kërkoi mbështetje të qëndrueshme financiare nga BE-ja për të vazhduar mbrojtjen nga lufta e Rusisë.