A ka vend për Ziadin Selën në Qeveri? ja çka thotë Mickovski
“Koalicioni qeveritar ka një shumicë historikisht të qëndrueshme, me dy të tretat, dhe në këtë moment nuk ka asnjë mendim të tillë”, thotë kryeministri Mickoski, i pyetur për mundësinë e hyrjes së krahut të Ziadin Selës nga Aleanca për Shqiptarët në Qeveri. Sa i përket asaj se deri kur pritet të finalizohet procesi i caktimit të ministrave të ri në Qeveri, kryeministri ka deklaruar sot se konsultimet me VLEN-in për emrat e rinj të ministrave janë duke vazhduar dhe se në fillim të javës do të dihet gjithçka
Shkup, 20 nëntor – Shumica parlamentare do të mbetet në përbërjen aktuale dhe nuk pritet përfshirja e krahut të Ziadin Selës apo e ndonjë partie tjetër. Këtë e ka konfirmuar kryeministri Hristijan Mickoski, i cili theksoi se shumica është stabile dhe se zgjerimi i saj nuk konsiderohet i domosdoshëm. “Koalicioni qeveritar ka një shumicë historikisht të qëndrueshme, me dy të tretat, dhe në këtë moment nuk ka asnjë mendim të tillë,” thotë kryeministri Hristijan Mickoski, i pyetur për mundësinë e hyrjes së Aleanca për Shqiptarët të krahut të Ziadin Selës në Qeveri.
Përndryshe, kjo temë është bërë aktuale, pasi ASH e Ziadin Selës braktisi koalicionin AKI dhe u shpreh se do të veprojnë në mënyrë autonome dhe si grup i pavarur në Parlament. Sela madje është shprehur se do të bëhet pjesë e Qeverisë nëse pranohen tre kushte. Ai ka theksuar se kusht që ai të jetë pjesë e shumicës janë: miratimi i ndryshimeve kushtetuese, zëvendësimi i termit “20%” me “gjuha shqipe” në Kushtetutë, si dhe vendosja e Badenterit në Gjykatën Kushtetuese.
JAVËN E ARDHSHME PRITET TË CAKTOHEN MINISTRAT E RINJ
Sa i përket asaj se deri kur pritet të finalizohet procesi i caktimit të ministrave të ri në Qeveri, pasi në zgjedhje lokale Izet Mexhiti morri detyrën e kryetarit të komunës së Çairit, kryeministri Hristijan Mickoski ka deklaruar sot se konsultimet me VLEN-in për emrat e rinj të ministrave janë duke vazhduar dhe se në fillim të javës do të dihet gjithçka. Ai tha se për emrat nuk do të pritet përfundimi i kongresit të VMRO-së, por të njëjtat do të dorëzohen në fillim të javës së ardhshme.
“Më pas kemi plan për aktivitete që planifikojmë t’i bëjmë edhe brendapartiake dhe me institucionet, kështu që ja, të shkojmë hap pas hapi”, tha Mickoski.
Përndryshe, jo zyrtarisht flitet se VLEN ka definuar dhe gati se ka finalizuar marrëveshjen e brendshme për riformatim të pjesshëm të përfaqësimit në Qeveri, ndërsa vendimi pritet të marrë dritë jeshile në organet partiake të secilës parti të koalicionit në ditët në vijim. Sipas marrëveshjes, e cila ende nuk është konfirmuar në postin e ministrit të Mjedisit Jetësor, në vend të Izet Mexhitit, do të emërohet Muhamet Hoxha, kuadër me përvojë në ekzekutiv, i cili më herët ka ushtruar edhe funksionin e zëdhënësit të Qeverisë. Deputeti Bekim Sali pritet të emërohet zëvendëskryeministër për Qeverisje të Mirë, në vend të Arben Fetait. Njëkohësisht, Sali do të ushtrojë edhe detyrën e zëvendëskryeministrit të parë. Arben Fetai, nga ana tjetër, do të marrë drejtimin e ministrisë për Integrime Evropiane. Ai njihet për përvojën e tij në diplomaci dhe në proceset e integrimeve, duke qenë i përfshirë më herët në institucionet e Bashkimit Evropian në Bruksel.
Ministri aktual për Integrime Evropiane, Orhan Murtezani, sipas marrëveshjes, pritet të transferohet ose në pozitën e zëvendësministrit të Mbrojtjes, postin e drejtorit të Postës së Maqedonisë, ose ndonjë drejtori tjetër me peshë. Gjatë ditëve në vijim, VLEN pritet t’ia dorëzojë këto propozime Qeverisë, që më pas procedurat formale të vazhdojnë në Kuvend. Ky riformatim po ndodh pas zgjedhjes së Izet Mexhitit kryetar i Komunës së Çairit. Pas janarit pritet të ketë ndryshime më të mëdha brenda Qeverise.
VLEN: NA DUHET NJË OPOZITË E FORTË
Koalicioni VLEN, ndërkohë duke shprehur shqetësimin e thellë për turbulencat që po zhvillohen brenda kampit opozitar shqiptar, bën thirrje që opozita të merr veten dhe të jetë korrektues i pushtetit , duke kontribuar kështu në zhvillimin dhe rritjen e demokracisë dhe sundimit të së drejtës
“Brenda një periudhe të shkurtër, AKI ka pësuar largime të njëpasnjëshme të figurave kyçe: largimi i Menduh Thaçit, largimi i Arjanit Hoxhës dhe së fundmi, largimi i Ziadin Selës, dikur një nga shtyllat kryesore të kampit opozitar. Këto nuk janë lëvizje të rastësishme. Këto janë shenja të një strukture politike që po shpërbëhet, që ka humbur orientimin, besimin e brendshëm dhe rrugën para. VLEN nuk gëzohet me këtë. Përkundrazi: VLEN ka nevojë për një opozitë të fortë, të përgjegjshme dhe koherente. Jo opozitë “copa-copa”, jo opozitë që ndahet çdo javë, jo opozitë që i frikësohet debatit dhe transparencës”, theksojnë nga VLEN, nga ku vlerësojnë se një opozitë e dobët nuk e dëmton VLEN-in, por e dëmton sistemin politik të vendit dhe balancën demokratike dhe e lë qytetarin pa alternativë reale.
Prandaj, ne u bëjmë thirrje të gjitha subjekteve politike që e quajnë veten opozitare ta rikthejnë maturinë, seriozitetin dhe përgjegjësinë që kërkon momenti. VLEN është këtu për të bashkëpunuar me çdo forcë politike që e ka seriozisht reformën, që respekton institucionet, dhe që i shërben qytetarit, jo interesave personale, jo pazareve, jo luftërave të brendshme”, theksojnë nga VLEN.
Qytetarët meritojnë opsione serioze dhe politikë me përgjegjësi, vlerësojnë nga VLEN, duke shtuar se do të vazhdojë me forcë rrugën e ndryshimit, por theksojnë se kjo rrugë bëhet më e drejtë dhe demokratike, kur përballë është një opozitë e fortë. (kloha.mk)

