BotaTop Lajme

Autoritetet në Gaza: 342 persona të vrarë në shkeljet izraelite që nga armëpushimit

Shpërndaje

Ushtria izraelite ka kryer 497 shkelje të armëpushimit në Rripin e Gazës që nga hyrja e tij në fuqi, duke vrarë 342 persona dhe plagosur 875 të tjerë, tha të shtunën Zyra për Media e Qeverisë së Gazës, transmeton Anadolu.

Ajo e akuzoi Izraelin për minimin sistematik të marrëveshjes nëpërmjet sulmeve vdekjeprurëse dhe inkursioneve të përsëritura.

Zyra tha se 27 shkelje u regjistruan të shtunën, duke rezultuar në 24 të vrarë dhe 87 të plagosur. Ajo e quajti këtë model “shkelje flagrante” të së drejtës humanitare ndërkombëtare dhe protokollit humanitar të bashkangjitur marrëveshjes së armëpushimit.

Sipas zyrës, shkeljet izraelite që nga 10 tetori përfshijnë 142 të shtëna që kanë në shënjestër civilët, shtëpitë dhe tendat e të zhvendosurve; 21 inkursione tokësore përtej “vijës së verdhë”; 228 sulme ajrore, artilerie dhe tokësore; dhe 100 shkatërrime të banesave dhe strukturave civile, gjë që – sipas saj – përbën “ndëshkim kolektiv” dhe përpjekje për të zgjeruar shkatërrimin.

Zyra tha se 35 palestinezë janë ndaluar gjithashtu gjatë bastisjeve dhe inkursioneve, ndërsa akuzoi Izraelin se po përpiqet të “krijojë një realitet të ri të përgjakshëm që kërcënon sigurinë dhe stabilitetin në Rripin e Gazës”.

Më herët, Mbrojtja Civile e Gazës tha se të paktën 22 palestinezë u vranë të shtunën nga sulmet ajrore izraelite që goditën shtëpi dhe një automjet në disa zona të Gazës, në një shkelje të re të armëpushimit.

Izraeli vazhdon të mbajë të pushtuar më shumë se 50 për qind të Gazës nën marrëveshjen e armëpushimit, me “vijën e verdhë” që ndan zonat nën dislokimin e ushtrisë nga ato të banuara nga palestinezët.

Ushtria izraelite së fundmi ka riintensifikuar sulmet në lindje të vijës së verdhë, duke shkatërruar zona të gjera dhe duke i bërë zonat përreth jashtëzakonisht të rrezikshme për civilët.

Që nga tetori i vitit 2023, ushtria izraelite ka vrarë pothuajse 70.000 persona në Gaza, kryesisht gra dhe fëmijë, ka plagosur mbi 170.800 dhe e ka shndërruar enklavën në rrënoja. Sulmet u ndalën nën një marrëveshje armëpushimi të ndërmjetësuar nga presidenti amerikan Donald Trump.