MaqedoniTop Lajme

Gashi: Ligjet reformuese ende nuk kanë arritur në Kuvend

Shpërndaje

Kuvendi ende është në pritje të dorëzimit të disa prej ligjeve reformuese nga ana e Qeverisë për të cilat, kreu i Kuvendit Gashi tha se do t’i dërgojnë në procedurë parlamentare për miratim. Koordinatorët e grupeve parlamentare kanë kërkuar sot përgjigje nga përfaqësuesi i Qeverisë lidhur me përgatitjet e kodit të ri zgjedhor.

“Ne si Kuvend jemi gati dhe do të jemi në koordinim për të bërë dinamikën e nevojshme se si ti zbatojmë. Të gjitha grupet parlamentare do të bashkëpunojnë në realizimin e reformës. Për momentin nuk kemi përgjigje për një afat të caktuar se kur do të dorëzohen nga Qeveria. Për Kodin Zgjedhor mendoj se po shohim dritë në fund të tunelit, kemi kërkuar nga Qeveria të na përgjigjet nëse do të propozojnë kod të ri apo ne të vazhdojmë me ndryshime të atij ekzistues. Edhe për Kodin Penal jemi në pritje të Ministrisë së Drejtësisë”, deklaroi Afrim Gashi – Kryetar i Kuvendit.

Në Kuvend ka edhe ligje që kanë ngecur për shkak mungesës së badenterit, ndër ta është edhe ligji për vetëqeverisje lokale. Nga opozita e kontestojnë mos përfshirjen e numrit të banorëve jo rezident.

“Ligji për vetëqeverisje lokale edhe ne si pushtet qendror e dini se pas atij procesi të gjatë konsultues e kemi dorëzuar në procedurë kuvendore. Procedura është shterur, kur të krijohet mundësia respektivisht kur të sigurohet badenteri do të miratohet”, deklaroi Zlatko Perinski – Ministër i Vetqeverisjes lokale.

Nëse pushtet dëshiron të kalojë të gjitha ligjet reformuese dhe ato për të cilat nevojitet badenter, nga Fronti Evropian bëjnë të ditur se të njëjtat duhet të përgatiten me konsensus, respektivisht me përfshirjen edhe të partive të tjera politike dhe të ekspertëve.

“Do të duhet të krijohet një grup punues por në nivelin e partive politike me ekspertë të fushës për të parë dhe në vazhdimësi si ka qenë paraprakisht, në cilat momente është ndërhyrë në kodin zgjedhor dhe si do të vazhdohet më tutje. Do të shohim. Do të kemi një situatë të re por megjithatë mendoj se edhe për kodin zgjedhor por edhe për të gjitha ato që i përmendët, do të duhet konsensus i gjerë politik. Vendimet të merren, diskutimet dhe bisedimet të zhvillohen në nivel të partive politike”, deklaroi Rina Ajdari – Koordinator e g.p të Frontit Evropian.

Javë më parë kreu i Kuvendit Afrim Gashi bëri të ditur se problemi kryesor në kodin zgjedhor ishte financimi i partive politike sepse siç tha, financimi i dy partive në pushtet dhe dy në opozitë nuk është praktike. Një kod të ri zgjedhor shumica parlamentare në bashkëpunim me LSDM-në tentuan ta kalojnë në një seancë të jashtëzakonshme në muajin gusht por e njëjta dështoi për shkak të badenterit. /Alsat.mk