Gjykata e Apelit merr vendim për rastin e njohur në opinionin publik “Ukë Rugova I”
Gjykata e Apelit – Departamenti Special, ka marrë sot vendim lidhur me rastin e njohur në opinion si “Ukë Rugova I”, duke refuzuar si të pabazuara ankesat e Prokurorisë Speciale dhe duke vërtetuar aktgjykimin lirues të Gjykatës Themelore në Prishtinë, të datës 30.06.2023.
Sipas njoftimit, Apeli ka konstatuar se aktgjykimi i shkallës së parë nuk përmban shkelje procedurale dhe se Prokuroria nuk ka dëshmuar ekzistimin e provave që do të vërtetonin përtej çdo dyshimi fajësinë e të akuzuarve.
Me këtë aktgjykim, mbetet në fuqi lirimi nga akuzat për veprën penale: Krim i organizuar (neni 283 par. 2 KPRK), Kontrabandim me migrantë (neni 170 par. 1 dhe par. 2 KPRK), pasi gjykata ka konstatuar se “nuk është provuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat janë akuzuar”.
Të akuzuarit e liruar nga fajësia janë Ukë Rugova, Izet Beqiri, Qefser Baholli A. H.
“Gjykata e Apelit e Kosovës – Departamenti Special, ka refuzuar si të pabazuara ankesat e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, e mbrojtësit të të akuzuarit I.B., av. Besnik Berisha, e mbrojtësit të të akuzuarit U.K., av. Nexhat Shabani, ndërsa aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, PKR.nr.305/2016, të datës 30.06.2023, e ka vërtetuar.
Me aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, PKR.nr.305/2016, të datës 30.06.2023, të akuzuarit U.K., I.B., Q.B., dhe A.H., i ka liruar nga akuza për shkak të veprës penale krim i organizuar nga neni 283 paragrafi 2 të KPRK, në lidhje me veprën penale të kontrabandimit me migrantë nga neni 170 paragrafi 1 të KPRK dhe veprën penale kontrabandim me migrantë nga neni 170 paragrafi 2 të KPRK, për shkak se nuk është provuar se të njëjtit kanë kryer veprat penale për të cilat janë akuzuar”, theksohet në njoftim.
Gjithashtu, Gjykata Themelore në Prishtinë, të akuzuarit U.K., I.B., dhe Q.B., i ka shpallur fajtorë për shkak të veprës penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 374 paragrafi 1 të KPRK, dhe të njëjtit veç e veç i ka dënuar me dënim me gjobë në shumën prej 6.000 (gjashtëmijë) euro, të cilin dënim të akuzuarit do ta paguajnë në afat prej 15 (pesëmbëdhjetë) ditësh, pasi që aktgjykimi të marrë formën e prerë.
Në arsyetim të aktgjykimit, gjykata e shkallës së dytë ka vlerësuar se aktgjykimi i ankimuar nuk është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale të parapara sipas dispozitës së nenit 384, pasi që dispozitivi i aktgjykimit të ankimuar është i qartë dhe në përputhje me arsyetimin e tij.
Po ashtu ka vlerësuar se gjykata e shkallës së parë ka analizuar të gjitha provat e administruara në shqyrtim gjyqësor, si dhe aktgjykimi i ankimuar nuk përmban ndonjë shkelje tjetër për të cilën detyrimisht do të duhej anuluar dhe çështja të kthehet në rivendosje në gjykatën e shkallës së parë.
Gjykata e Apelit vëren se gjykata e shkallës së parë ka dhënë arsye për çdo prove materiale që është administruar si dhe për çdo dëshmitarë qoftë kur është lexuar deklarata e atij dëshmitari apo kur është dëgjuar në shqyrtimin gjyqësor, duke ndërlidhur provat e tilla në raport me faktet e pretenduara, ashtu që nuk janë vërtetuar faktet që pretendoheshin se të pandehurit i kanë kryer.
Me këtë vendim, çështja konsiderohet përfundimisht e mbyllur për të pandehurit e liruar.

