RajoniTop Lajme

Gucati: Rezoluta e dëmshme duhet të shfuqizohet

Shpërndaje

Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, bëri të ditur se pas protestës së sotme në Srtasburg kundër gjykimit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka dorëzuar 285 letra , nga një për secilin anëtar të Asamblesë së Këshillit të Evropës, përmes të cilave paraqiten shqetësimet lidhur me procesin gjyqësor në Gjykatën Speciale.

Në një deklarim për RTK, kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, tha se protesta para Këshillit të Evropës kishte një arsye të veçantë, duke iu referuar rezolutës së miratuar vite më parë, që sipas tij ka dëmtuar imazhin e Kosovës dhe UÇK-së.

“Jemi mbledhur para Këshillit të Evropës sepse nga ky institucion është miratuar një rezolutë e njëanshme, e hartuar nga një person i çmendur, nga një vend që e kemi konsideruar mik. Kjo rezolutë ka dëmtuar vendin tonë dhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës,” u shpreh Guxhhti.

Ai bëri të ditur se deputetëve evropianë u është kërkuar që të kërkojnë falje morale dhe të shfuqizojnë këtë rezolutë.

“Nesër në orën 9:00 kjo pako me letra do të dorëzohet brenda. U kërkojmë deputetëve të paktën të kërkojnë falje dhe të shfuqizojnë këtë rezolutë. Madje këto letra, bashkë me emrin e atij që e ka shkruar, duhet t’i dërgohen edhe në varrin e tij, që kjo rezolutë të ‘varroset’ përgjithmonë,” tha ai.

Gucati falënderoi edhe diasporën dhe të gjithë shqiptaët që janë bashkuar në protestat e mbajtura nëpër Evropë, duke i quajtur ato një zë të fuqishëm për drejtësi./Periskopi/