Integrimi drejt BE, Shqipëria shënon një tjetër moment historik, të hënën çelet grupkapitulli i fundit i negociatave
Shqipëria shënon një tjetër moment të rëndësishëm historik në procesin e integrimit të vendit në Bashkimin e Europian.
Ditën e hënë, më 17 nëntor do të çelet grupkapitulli i fundit i negociatave, në Konferencën e 7-të Ndërqeveritare Shqipëri- BE, që do të mbahet në Bruksel, i cili shënon hapjen e të gjithë kapitujve të negociatave në një kohë rekord prej 12 muajsh.
“Shqipëria arriti të pamendueshmen, të gjithë kapitujt e negociatave të hapur brenda 12 muajsh – rekord absolut në procesin e integrimeve europiane” – e vlerësoi këtë moment Kryeministri Rama, i cili do të marrë pjesë të hënën në Konferencën e 7-të Ndërqeveritare, së bashku me Ministren e Shtetit dhe Kryenegociatoren Majlinda Dhuka, Ministren e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Adea Pirdeni, si dhe pjesëtarë të tjerë të delegacionit shqiptar për të çelur negociatat për Grup-Kapitullin V: “Burimet, Bujqësia dhe Kohezioni”.
Pas përfundimit të punimeve, Kryeministri Rama, Komisionerja për Zgjerimin e BE-së, Marta Kos dhe Ministrja e Punëve të Jashtme të Danimarkës, Marie Bjerre do të mbajnë një Konferencë të përbashkët për shtyp.
-Grupkapitulli V përfshin pesë kapituj thelbësorë për zhvillimin ekonomik dhe social të vendit, me ndikimin më të drejtpërdrejtë tek prodhimi, konkurrueshmëria dhe zhvillimi i balancuar i territorit:
“Bujqësia dhe Zhvillimi Rural” (kapitulli 11);
“Politikat e sigurisë ushqimore, veterinarisë dhe fitosanitare”, (kapitulli 12);
“Peshkimi” (kapitulli 13);
“Politika rajonale dhe koordinimi i instrumentave strukturore” (kapitulli 22), si dhe
“Dispozitat Financiare dhe Buxhetore (kapitulli 33).
Përmes këtij Grupkapitulli, Shqipëria përfiton lidhur me modernizimin e bujqësisë, rritjen e kapaciteteve prodhuese dhe dixhitalizimin e zinxhirit ushqimor. Një vend të veçantë zë forcimi i mekanizmave të kontrollit të sigurisë ushqimore dhe përafrimi me standardet e BE-së, ndërsa sektori i peshkimit dhe akuakulturës synon të përfitojë nga rregullat dhe programet europiane për menaxhim të qëndrueshëm.
Në komponentin e kohezionit, Shqipëria adreson rritjen e kapaciteteve për menaxhimin e fondeve të BE-së dhe përgatitjen për pjesëmarrje efektive në politikat e zhvillimit rajonal.
Ndërkohë, kapitulli për dispozitat financiare dhe buxhetore përfshin përputhjen me praktikat europiane për transparencë, planifikim buxhetor dhe administrim të fondeve publike.
Hapja e Grup-Kapitullit V përfaqëson një hap vendimtar drejt afrimit përfundimtar të Shqipërisë me Bashkimin Europian, duke konsoliduar progresin e bërë dhe duke krijuar bazën për reforma më të thelluara në sektorët që mbështesin ekonominë, sigurinë ushqimore dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.

