RajoniTop Lajme

Kryeministri Kurti bëri homazhe në 36-vjetorin e rënies së dëshmorëve Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu

Shpërndaje

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me Kryetarin e Kuvendit, Dimal Basha, zëvendëskryeministren në detyrë, Donika Gërvalla, deputetë të Kuvendit dhe bashkëpunëtorë, bëri homazhe në 36-vjetorin e rënies së dëshmorëve Afrim Zhitia e Fahri Fazliu, në varrezat e dëshmorëve në lagjen Velania, në Prishtinë.

Ai tha se rënia e tyre zgjoi ndërgjegjen kombëtare në nivele të larta, dhe gjithashtu sensibilizoi opinionin publik ndërkombëtar se, në Kosovë ka një popull, i cili nuk nënshtrohet dhe që do të rezistojë deri në lirinë për veten e tij.

“Është tejet interesante se si rënia heroike e Afrimit dhe Fahriut, i ngjanë aq shumë rënies heroike 5 vjet më parë të Rexhep Malës e të Nuhi Berishës. Fahriu e Afrimi në “Breg të Diellit”, ndërkaq, Rexhepi e Nuhiu në “Kodër të Trimave”. Që të dy, luftuan deri në fund, ndërkaq, me 2 nëntor të vitit 1989 në bllokun e III-të, në hyrjen e III-të, aty ku e kishin bazën e tyre ilegale, Fahriu e Afrimi luftuan për më shumë se 6 orë dhe kjo tregon se çfarë luftëtarësh të paepur kanë qenë ata”, tha kryeministri Kurti.

Më tej, kryeministri Kurti theksoi se jeta, vepra, rënia, konteksti politik shoqëror i rënies heroike të Afrimit e të Fahriut, ka nevojë të studiohet edhe më shumë nga historianët, sociologët dhe shkencëtarët në Kosovë, sepse liria e brezave të ardhshëm, varet se sa mirë e mësojmë dhe e përvetësojmë jetën edhe veprën e atyre, të cilët bënë gjithçka për lirinë e popullit shqiptar.

Lavdi Afrimit e Fahriut dhe gjithë dëshmorëve të kombit tonë!

Prononcimi i plotë i Kryeministrit Kurti:

Para 36 vjetëve, heroikisht, në ballafaqim të drejtpërdrejt me forcat armike të Jugosllavisë e të Serbisë okupatore, ranë Fahri Fazliu dhe Afrim Zhitia. Ata, që të dy ishin shumë të rinj, por edhe shumë të pjekur. Fahriu ishte 26 vjeç, ndërkaq Afrimi ishte 24 vjeç.

Rënia e tyre zgjoi ndërgjegjen kombëtare në nivele të larta, por gjithashtu edhe sensibilizoi opinionin publik ndërkombëtar se, në Kosovë ka një popull, i cili nuk nënshtrohet dhe, i cili do të rezistojë deri në lirinë për veten e tij.

Është tejet interesante se si rënia heroike e Afrimit dhe Fahriut, i ngjanë aq shumë rënies heroike 5 vjet më parë të Rexhep Malës e të Nuhi Berishës. Fahriu e Afrimi në “Breg të Diellit”, ndërkaq, Rexhepi e Nuhiu në “Kodër të Trimave”. Që të dy, luftuan deri në fund, ndërkaq, me 2 nëntor të vitit 1989 në bllokun e III-të, në hyrjen e III-të, aty ku e kishin bazën e tyre ilegale, Fahriu e Afrimi luftuan për më shumë se 6 orë dhe kjo tregon se çfarë luftëtarësh të paepur kanë qenë ata, e natyrisht që kishin prej kujt të mësonin, prej gjithë atyre heronjve, dëshmorëve, luftëtarëve të rilindjes sonë kombëtare e deri pra te Rexhep Mala e Nuhi Berisha, e në anën tjetër, ata i paraprinë heronjve e dëshmorëve që do të vijnë pas tyre; prej Zahir Pajazitit e Ilir Konushevcit deri te lufta e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës me mbi 2 mijë dëshmorë të kombit.

Ka nevojë që jeta, vepra, rënia, konteksti politik shoqëror i rënies heroike të Afrimit e të Fahriut, të studiohet edhe më shumë nga historianët, sociologët dhe shkencëtarët në Kosovë, sepse liria e brezave të ardhshëm, varet se sa mirë e mësojmë dhe e përvetësojmë jetën edhe veprën e atyre, të cilët bënë gjithçka për lirinë e popullit shqiptar.

Lavdi Afrimit e Fahriut dhe gjithë dëshmorëve të kombit tonë!