RajoniTop Lajme

Kryeministri Kurti vizitoi Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, me rastin e prezantimit të raportit dyvjeçar të punës së këtij instituti

Shpërndaje

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, vizitoi sot Institutin e Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë (IKKL), ku u mirëprit nga Drejtori Ekzekutiv Atdhe Hetemi, me rastin e prezantimit të raportit vjetor të punës së Institutit.

Gjatë kësaj vizitë, kryeministri Kurti u njoftua nga drejtori Hetemi mbi arritjet dhe përparimin e shënuar në dokumentimin, arkivimin dhe kërkimin shkencor të krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.

Drejtori Hetemi theksoi se gjatë periudhës 2024–2025, IKKL ka bërë hapa të rëndësishëm në konsolidimin institucional dhe profesional, ka forcuar bazën ligjore dhe metodologjike të punës, si dhe ka rritur ndjeshëm fondin arkivor, i cili sot përmban mbi 400 metra linearë material fizik dhe 20.6 terabajtë të dhëna digjitale, të mbledhura nga më shumë se 650 burime të ndryshme në 14 vende të botës. Ndër të tjerash nënvizoi zhvillimin e databazës së viktimave të luftës, nisjen e projektit trevjeçar “Kujtesa e Masakrave në Kosovë”, si dhe organizimin e konferencës së parë ndërkombëtare të IKKL-së, me pjesëmarrjen e mbi 200 studiuesve nga universitete dhe institute ndërkombëtare si New York University, Westminster University, Dublin City University e të tjera.

Kryeministri e falënderoi z. Hetemi dhe stafin e tij për punën e përditshme dhe mikpritjen sot. Ai rikujtoi se vitin e kaluar kur kishte vizituar Institutin, aty punonin 23 persona, kurse tash ky numër është rritur në 39 dhe në të njëjtën kohë ka rritje edhe të materialit arkivor. Ai shtoi se dyvjetori i punës së IKKL-së e gjen me gjashtë zyra rajonale, në Pejë, Gjakovë, Prizren, Ferizaj, Gjilan dhe Mitrovicë, teksa theksoi rëndësinë e IKKL-së në njërën anë për institucionalizimin e kujtesës kolektive, dhe në anën tjetër për zbardhjen e plotë të së vërtetës historike.

IKKL është shndërruar në një nyje qendrore institucionale ku grumbullohen burime e të dhëna dhe ku kërkohet informacion, sidomos institucionet e sigurisë dhe drejtësisë, duke ndihmuar kështu edhe në rritjen e hetimeve dhe ndjekjen penale të kriminelëve të Serbisë që kryen vrasje, përdhunime, tortura e masakra në Kosovë.

“Këtu mund ta gjeni arkivin e gjenocideve të Serbisë, këtu mund ta gjeni dokumentimin gjigant të spastrimit etnik, pastaj të shkeljeve sistematike të të drejtave të njeriut, dhe gjithashtu të pasojave dhe humbjeve që ka pasur populli ynë nga okupimi i gjatë serb, e posaçërisht nga lufta e fundit, ku dëmet nuk janë vetëm në njerëz por edhe në ekonomi e në trashëgiminë tonë kulturore”, u shpreh kryeministri Kurti para medieve në përmbyllje të vizitës.

Ndërkaq, Drejtori i Institutit të Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë, Atdhe Hetemi, falënderoi kryeministrin Kurti dhe Qeverinë e Republikës së Kosovës për mbështetjen që i ka dhënë Institutit duke pranuar dhe adresuar kërkesat nga Instituti me prioritet dhe në mënyrë të duhur. Ai gjithashtu falënderoi edhe mediat për punën dhe angazhimin që e kanë bërë në dokumentimin e krimeve të luftës e që mbeten një prej partnerëve shumë të rëndësishëm për ne.

Instituti për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë është një nga shtyllat kryesore shtetërore për ruajtjen e kujtesës historike, dokumentimin e krimeve dhe ndërtimin e drejtësisë tranzicionale në Republikën e Kosovës.