RajoniTop Lajme

Mbledhja e përbashkët e dy qeverive Shqipëri-Itali, RAMA: Ditë historike e marrëdhënieve tona

Shpërndaje

Shqipëria dhe Italia zhvilluan dje në Romë mbledhjen e parë të përbashkët mes dy qeverive, duke shënuar një hap të rëndësishëm në partneritetin strategjik midis dy vendeve.

Rama publikoi sot në rrjetet sociale fotoalbumin nga Roma, duke e cilësuar një ditë historike të marrëdhënieve tona ndërkombëtare.

Kryeministri Rama u prit në ceremoninë zyrtare të mirëseardhjes nga Kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni, në Vila Doria Pamphilj, rezidencë historike e shekullit të 17-të dhe një nga parqet më të mëdha publike në Romë, ku u mbajt edhe mbledhja e përbashkët mes dy qeverive.

Në vijim, Rama dhe Meloni shkëmbyen marrëveshje për bashkëpunim strategjik (G2G) në kujdesin shëndetësor, energjinë, mjedisin, industrinë e sigurisë dhe mbrojtjes, menaxhimin e migracionit, arsimin, inovacionin, diasporën, transformimin ekonomik dhe rritjes përmes inovacionit.

Kryeministrja italiane, Meloni e cilësoi historik këtë moment për marrëdhëniet dypalëshe, “jo vetëm për faktin që është hera e parë që qeveritë tona takohen në një format të këtij lloji, por edhe për sasinë dhe cilësinë e marrëveshjeve dypalëshe teknike dhe qeveritare”.

Edhe Kryeministri Rama e cilësoi historik faktin që “për herë të parë qeveria shqiptare ulet me qeverinë italiane për të folur për projekte dhe për një të ardhme të përbashkët”.

Në kuadër të mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, Shqipëria dhe Italia shkëmbyen 15 marrëveshje dhe memorandume mirëkuptimi nga ministrat respektivë të kabineteve qeveritare që mbulojnë një gamë të gjerë fushash strategjike.

Të dy vendet do të bashkëpunojnë mbi sigurinë kibernetike, krijimin e një sistemi të mbrojtjes civile shqiptare si dhe për përforcimin e aftësive të mbrojtjes civile në Shqipëri.

Gjithashtu, pikë e rëndësishme e marrëveshjeve të nënshkruara është edhe projektit në mbështetje të neonatologjisë, në mbrojtje të fëmijëve dhe nënave.

Edhe në fushën e kulturës, u nënshkrua memorandumi i mirëkuptimit mes fondacionit MAXXI, Muzeu Kombëtar i Arteve i Shekullit XXI dhe Galeria Kombëtare e Arteve e Republikës së Shqipërisë.

Shqipëria dhe Italia do të bashkëpunojnë për përmirësimin e rrjetit të transmetimit të energjisë elektrike në Shqipërinë veriore, të dëmtuar nga tërmeti i vitit 2019, si dhe për prodhimin e anijeve ushtarake.