Memli Krasniqi jep dorëheqje nga posti i kryetarit të PDK-së
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, sot ka dhënë dorëheqje nga posti i udhëheqësit të partisë, njofton albazone media.
Ky veprim ka ardhur si rezultat i mosarritjes së objektiveve të PDK-së në zgjedhjet e fundit lokale.
Në zgjedhjet lokale PDK-ja ka fituar gjashtë komuna: Prizrenin, Ferizajn, Skenderajn, Vushtrrinë, Kaçanikun, Hanin e Elzeti.
Në këto zgjedhje, PDK-ja ka humbur Drenasin dhe Mitrovicën.
Më 3 korrik të vitit 2021, Memli Krasniqi ishte zgjedhur kryetar i ri i Partisë Demokratike të Kosovës. në këtë poitë, Krasniqi ishte zgjedhur me shumicë votash të delegatëve të PDK-së.
Në konventën zgjedhore të partisë, ai kishte marrë 469 vota. Vetëm 7 vota ishin kundër.
Njoftimi nga KRASNIQI:
Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,
të dashur anëtarë e mbështetës të Partisë Demokratike të Kosovës,
të nderuar përfaqësues të mediave,
Faleminderit që jeni me ne sot në këtë konferencë për media.
Në rini, njeriu nuk e di gjithmonë se çfarë do të bëhet – por shumëherë e di në çfarë don të besojë.
Dhe unë, që nga rinia, e kam ditur se dua të besoj në Kosovën e ëndërrave të mia.
Më dëshirën e madhe në zemër, që këtë besim ta kthej në veprim për vendin tim,
në vitin 2004 ju bashkova Partisë Demokratike të Kosovës aktivisht.
Ishte një ditë sikur sot, në këtë seli, vetëm unë isha dy dekada më i ri.
Dhe, në atë moment, as në dëshirat më të mira nuk do ta kisha imagjinuar rrugëtimin që më priste.
Sepse, ajo që nisi si një angazhim rinor e idealist, u kthye në udhëtimin më të rëndësishëm të jetës sime.
Mbi njëzet vjet angazhim e shërbim i përzemërt me PDK-në, kam pasur nderin të punoj për shtetin tim, për qytetarët e mi,
të rrugëtoj nga Kryetari i Rinisë Demokratike – te Kryetari i Partisë Demokratike,
dhe mbi të gjitha, ta kem nderin dhe krenarinë e pakrahasueshëm jetësor,
të nënshkruaj Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës.
Kjo është PDK. Këtë më ka dhënë PDK.
Një familje politike që më mësoi se idealet janë më të forta se çdo post.
Se dashuria për Kosovën është më e madhe se çdo dallim.
Ka qenë nderi më i madh i jetës sime të udhëheq këtë parti.
Partinë e krenarisë sonë kombëtare.
Partinë që ka shkruar faqet më të ndritura të historisë së Kosovës.
Partinë që e kanë udhëhequr dy burra që kanë shkruar epokën më të lavdishme të vendit tonë, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli.
Prej tyre ka mësuar fillimisht se lidershipi nuk është privilegj.
Është përgjegjësi.
Një barrë që mbahet me përulësi, jo me pushtet.
Me shembull, jo me forcë.
Të dashur anëtarë e mbështetës të PDK-së,
Në këto katër vjet e katër muaj si Kryetar i PDK-së,
bashkë kemi kaluar shumë sfida,
por edhe shumë momente krenarie.
Në tri palë zgjedhje, dy lokale dhe një nacionale,
PDK është rritur dhe është forcuar,
Unë e kam marrë detyrën e Kryetarit me një PDK në udhëkryq.
Me vetëm pesë komuna nën udhëheqje dhe me 148,000 vota në zgjedhje nacionale. Me 18 deputetë dhe me mbështetjë prej vetëm 11% në sondazhe.
Sot, jam krenar me atë që kemi aarritur, por kjo nuk është përmbushje e ambicieve tona.
Kemi fituar mjaft, por si cdo organizatë tjetër politike në botë,
kemi pasur edhe sfidat tona.
Megjithatë, besoj që secili Kryetar e mendon njëjtë,
dita kur e merr detyrën, është edhe dita kur mendon për herë të parë se si do të largohesh prej saj.
Dhe sot, pas shumë kohe reflektimi, besoj se ka ardhur momenti i duhur:
Sepse një parti që beson në zhvillim, duhet të besojë edhe në ripërtritje.
Një lidership që kërkon ndryshim për Kosovën,
duhet të ketë guximin të krijojë hapësirë për ndryshim brenda vetes.
Prandaj, sot kam vendosur të jap dorëheqje nga pozita e Kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës.
Ky vendim nuk është i momentit e as i zhvillimeve të fundit.
Është reflektim mbi atë se çka i duhet PDK-së në fazën e ardhshme.
Është nevoja për te krijuar një momentum dhe një mundësi të re për familjen tonë politike.
Dhe si dikush që nuk ka pasë asnjëherë ambicie për të qenë Kryeministër i vendit, në zgjedhjet e ardhshme konsideroj se kandidati ynë duhet të jetë edhe Kryetar i partisë.
Andaj, këtë vendim e kam marrë me bindje të plotë si vendimin e duhur dhe jo se jam lodhur apo jam zhgënjyer.
Por, sepse dua që partia jonë të marrë frymën e re që e meriton.
E bëj këtë me paqe në shpirt dhe me dashuri në zemër.
Dashuri për PDK-në.
Dashuri për Kosovën.
Sepse PDK është më shumë se një parti.
Është një amanet,
nga ata që luftuan për liri, për shtet dhe për dinjitet.
Dhe amaneti mbahet gjallë vetëm kur ne udhëheqim me shembull.
Me guxim, me përgjegjësi dhe me mendje e zemër të hapur.
Kur dimë jo vetëm si të qëndrojmë mirë, por edhe si të largohemi mirë.
Kjo është detyra e liderit,
Të dijë kur të dorëzojë me dashuri atë që e ka mbajtur me përgjegjësi.
Unë mbetem në PDK.
Me përkushtim të plotë.
Me besim të palëkundur.
Me bindje të thellë se PDK mund të bëhet edhe më e fortë.
Sepse kjo parti është më e madhe se secili prej nesh.
Dhe ne kemi për detyrë të qëndrojmë bashkë.
Prandaj, sot, si një thirrje prej zemrës,
ftoj çdo anëtar, çdo strukturë, çdo mbështetës të bashkohet.
Të jemi një. Si asnjëherë më parë.
Sepse, PDK, edhe sot e ka për detyrë t’i dalë zot vendit.
Kosova po kalon një periudhë të sfidave, stagnimit dhe mungesës së drejtimit.
Dhe pikërisht tani, vendi ynë ka nevojë për shërbim të sinqertë, për bashkim dhe për vizion.
Vetëm PDK mund ta ofrojë këtë ndryshim,
me maturi, me përvojë dhe me vizion për të ardhmen.
PDK është parti e njerëzve të mirë e atdhetarë.
Ka shumë energji, shumë dije, shumë zemra që rrahin fuqishëm për Kosovën.
Kjo është forca e vërtetë e kësaj partie.
Kjo është arsyeja pse besoj në të ardhmen e saj.
Kjo është arsyeja pse unë jam shpresëplot për një të ardhme ma të mirë për vendin tonë.
Të dashur anëtarë dhe aktivistë,
Sot, në përputhje me statutin e partisë,
kam thirrur Konventën e PDK-së për të hënën, më 17 nëntor,
ku do të zgjidhet Kryetari i ri.
Dhe e di se ajo ditë do të jetë dëshmi e pjekurisë sonë politike,
e demokracisë sonë të brendshme,
dhe e forcës sonë për të ecur përpara.
Prandaj, për fund, dua të ju them faleminderit të gjithëve:
Faleminderit qytetarëve të Republikës së Kosovës,
Faleminderit çdo votuesi, aktivisti dhe kolegu të PDK-së,
Faleminderit ekipit tim të jashtëzakonshëm,
Faleminderit miqve, bashkëpunëtorëve, dhe mbi të gjitha,
Falënderim i posaçëm për familjen time,
që ka qenë gjithmonë burim i forcës dhe i përkushtimit tim.
Shpresoj se tash do të kem pak më shumë kohë edhe për ta.
Unë sot largohem nga detyra e Kryetarit të PDK-së, në paqe, me mirënjohje dhe me krenari.
Me bindjen e thellë se bashkë me secilin anëtar, kemi bërë dhe kemi dhënë gjithcka që kemi ditur e gjithcka që ka qenë e mundshme brenda rrethanave që kemi punuar.
Kam bindjen e thellë se PDK do të mbetet në duar të sigurta drejtuese.
Në duar të njerëzve që besojnë, që punojnë dhe që bashkojnë.
Dhe, natyrisht, e ka thënë Presidenti Thaçi i pari,
Kjo nuk është lamtumirë – por vetëm mirupafshim.
Sepse kjo është shtëpia ime e dytë.
Shtëpia ime politike.
Shtëpia e krenarisë sime jetësore.
E, përtej shtëpisë sime, nuk dua dhe nuk kam se ku shkoj!
Zoti e bekoftë PDK-në.
Zoti e bekoftë Kosovën.

