Ndërron jetë profesori Liman Kurtishi, rektori i UT-së shpreh ngushllime
Të nderuar,
me dhimbje të thellë e morëm lajmin për ndarjen nga jeta të veprimtarit të njohur dhe profesorit të nderuar, Liman Kurtishi. Përveç veprimtarisë së tij politike dhe atdhetare, ai dha kontribut të çmuar për themelimin e Universitetit të Tetovës në vitin 1994, si dhe në avancimin e arsimit shqip në tërësi.
Kontributi i tij i vyer, në aspektin politik dhe intelektual, ishte i pazëvendësueshëm. Ai do të kujtohet gjithmonë si atdhetar i palëkundur, veprimtar i përkushtuar kundër çdo tendence diskriminuese ndaj shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe më gjerë.
Mbi të gjitha, profesor Limanin, do ta kujtojnë me respekt të thellë studentët, miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij, si një intelektual vizionar e këmbëngulës për të drejtat dhe liritë kombëtare.
Në këto momente të vështira, u shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta familjes, miqve, bashkëpunëtorëve dhe mbarë opinionit publik.
I përjetshëm qoftë kujtimi i Tij!
Rektori
Prof. Dr. Jusuf Zejneli

