Nis dëshminë në Hagë, Christopher Hill, dëshmitari i radhës i Thaçit
Nis dëshminë në Hagë, Christopher Hill, dëshmitari i radhës i Thaçit
Diplomati amerikan Christopher Hill po dëshmon sot në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, në procesin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Hill, i identifikuar me kodin 1DW-008, është dëshmitari i pestë i thirrur nga mbrojtja e Thaçit, e përfaqësuar nga avokati Luka Mishetiq. Para dëshmisë së tij, gjykata pranoi një video-material si provë, kërkesë e bërë nga mbrojtja dhe e pa kundërshtuar nga Prokuroria.
Sipas vendimit të trupit gjykues, dëshmia e Hill do të kufizohet në tema të caktuara, ndërsa ai ka të drejtë të mos përgjigjet në pyetje që përfshijnë informacione konfidenciale. Në seancë ishte e pranishme edhe Terra Gerhersanem, zëvendëskëshilltare ligjore e Ambasadës së SHBA-së në Hagë.
Mbrojtja e Thaçit ka filluar paraqitjen e provave më 15 shtator 2025, me dëshminë e ish-ndihmësit të sekretarit amerikan të shtetit, James Rubin.
Hill: Në çështjen e Kosovës isha i angazhuar nga Albright në vitin 1998
Christopher Hill gjatë dëshmisë së tij në Hagë tha se në çështjen e Kosovës ishte angazhuar nga SHBA-të në maj të vitit 1998 nga Madeleine Albright, të cilës i raportonte. Ai e kuptonte rolin e tij si diplomat që duhej të ofronte mbështetje ose zgjidhje politike për të ndalur dhunën në Kosovë.
Hill tregoi se me kolegët e Departamentit të Shtetit kishin punuar për një plan autonomie që do t’i kthente Kosovës vetëqeverisjen.
Dëshmia e tij u dha në përgjigje të pyetjeve të mbrojtjes së Hashim Thaçit, të përfaqësuar nga avokati Luka Mishetiq.
Hill tha se si diplomat në Maqedoni dhe Shqipëri, Kosova ishte një temë e madhe, por jo e vetmja në Ballkan, pasi kishte edhe luftëra në Bosnjë e Hercegovinë dhe Kroaci.
Ai theksoi se deri në maj 1998 nuk e kishte vizituar Kosovën dhe se në bisedimet e Dejtonit fokusi ishte përfundimi i luftës në Bosnjë, por Kosova përmendej nga amerikanë me prejardhje kosovare që kërkonin zgjidhje.
Hill shtoi se kishte biseduar për Kosovën edhe me Sllobodan Millosheviqin, duke theksuar se e dinin që Kosova do të ishte çështja tjetër pas Bosnjës.
Tutje në pyetjen e Mishetiqit se në palën kosovare a keni gjetur ndonjë emër që mund të fliste me autoritet në emër të shqiptarëve të Kosovës, Hill e përshkroi situatën në Kosovë si shumë sfiduese, duke theksuar vështirësinë për të gjetur bashkëbisedues me autoritet politik.
“Ka qenë një sfidë e madhe, në disa momente ishte ndërmarrje e vështirë të gjendeshin njerëz që flisnin me autoritet. Çdokush kishte një mendim lidhur me të, por problemi ishte të gjendej dikush që kishte autoritet. Një prej personave të tillë ishte kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ibrahim Rugova, i cili kishte pozitë udhëheqëse në Kosovë,” tha Hill.

