BotaTop Lajme

OKB-ja: Izraeli refuzoi mbi 100 kërkesa për ndihmë në Gaza që nga armëpushimi

Shpërndaje

OKB-ja tha sot se Izraeli ka refuzuar 107 kërkesa për hyrjen e materialeve të ndihmës humanitare në Rripin e Gazës që nga armëpushimi i 10 tetorit, dduke bllokuar furnizime thelbësore humanitare, raporton Anadolu.

“Partnerët tanë raportojnë se që nga armëpushimi, autoritetet izraelite kanë refuzuar 107 kërkesa për hyrjen e materialeve të ndihmës, përfshirë batanije, rroba dimri dhe mjete e materiale për mirëmbajtjen dhe funksionimin e shërbimeve të ujit, kanalizimeve dhe higjienës”, tha zëdhënësi Farhan Haq gjatë një konference për shtyp.

“Gati 90 për qind e këtyre kërkesave të refuzuara kanë ardhur nga mbi 330 OJQ lokale dhe ndërkombëtare, nga të cilat më shumë se gjysma janë refuzuar me arsyetimin se organizatat nuk ishin të autorizuara për të sjellë artikuj ndihme në Gaza”, shtoi ai.

Duke theksuar se OKB-ja dhe partnerët e saj në terren “mund të bëjnë më shumë kur hiqen pengesat e tjera”, Haq raportoi se “disa artikuj ndihme të refuzuar për hyrje në Gaza janë të atyre që autoritetet izraelite i konsiderojnë jashtë fushës së ndihmës humanitare”.

“Artikuj të tjerë klasifikohen si përdorim i dyfishtë, që shkojnë nga automjetet dhe pjesët e tyre rezervë deri te panelet diellore, disa lloje tualetesh të lëvizshme, aparate rëntgen dhe gjeneratorë”, shtoi ai.

Duke cituar Zyrën për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA), Haq vuri në dukje se “shpërthime të vazhdueshme të ndërtesave të banimit janë raportuar çdo ditë në disa zona ku ushtria izraelite mbetet e vendosur, veçanërisht në lindje të Khan Younisit, më lindje të Qytetit të Gazës dhe në Rafah”.

Duke thënë se sulmet izraelite pranë asaj që njihet si “linja e verdhë” vazhdojnë, duke shkaktuar viktima, Haq theksoi se “këto aktivitete ushtarake rrezikojnë civilët, përfshirë punonjësit e ndihmës humanitare”.

Ai i kujtoi “ushtrisë izraelite detyrimin për të pasur kujdes të vazhdueshëm për t’i kursyer ata gjatë operacioneve të saj”.

“Linja e verdhë” është linja e parë e tërheqjes e përcaktuar në fazën fillestare të marrëveshjes së armëpushimit midis Izraelit dhe Hamasit, e cila hyri në fuqi më 10 tetor.

Ajo ndan zonat që janë ende nën kontrollin ushtarak izraelit në lindje nga ato ku palestinezët lejohen të lëvizin në perëndim.

Për sa i përket lëvizjes së vazhdueshme të civilëve në gjithë enklavën, Haq tha se “më shumë se 680.000 lëvizje nga Gaza jugore në atë veriore janë vërejtur që nga fillimi i armëpushimit, ndërsa gjithashtu janë raportuar afërsisht 113.000 lëvizje nga Khan Younisi perëndimor në lindje”.

“Sidoqoftë, partnerët tanë thonë se shumë persona të zhvendosur kanë raportuar dëshirën për të qëndruar në vendndodhjet e tyre aktuale për shkak të shkatërrimit të gjerë, mungesës së alternativave dhe pasigurisë së vazhdueshme mbi sigurinë dhe shërbimet në zonat e origjinës së tyre”, tha ai.