Presidenti Erdogan: Forcimi i Turqisë do të thotë nderim i trashëgimisë së Ataturkut
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, mori pjesë të hënën në një ceremoni në Ankara me rastin e 87-vjetorit të vdekjes së Mustafa Kemal Ataturkut, themeluesit të Republikës së Turqisë, raporton Anadolu.
Duke folur në këtë event, Erdogan i bëri homazhe Ataturkut dhe shprehu mirënjohje anëtarëve të Asamblesë së parë të Madhe Kombëtare, të cilët udhëhoqën luftën për pavarësi dhe hodhën themelet e shtetit modern turk.
Ai nderoi dëshmorët e kombit, nga Beteja e Manzikertit dhe çlirimi i Stambollit deri te Fushata e Galipolit dhe përpjekja e dështuar për grusht shteti më 15 korrik. Erdogan falënderoi ata që kanë kontribuar në zhvillimin e Turqisë gjatë gjithë historisë 102-vjeçare të republikës.
Duke cituar Ataturkun, Erdogan tha se themeluesi i kombit kishte deklaruar se “trupi im i vdekur me siguri do të shndërrohet në pluhur një ditë, por Republika e Turqisë do të jetojë përgjithmonë”, duke e përshkruar atë si një dëshmi të trashëgimisë së tij të qëndrueshme.
“Me këto fjalë, Ataturku deklaroi një shekull më parë se trashëgimia e tij më e madhe dhe më e qëndrueshme ishte vetë republika. Të nderosh trashëgiminë e tij do të thotë të forcosh, të përparosh dhe të ndërtosh mbi suksesin e republikës, duke e bërë atë më të fortë dhe më të begatë në çdo fushë”, tha ai.
Presidenti turk njoftoi gjithashtu përfundimin e një restaurimi 11-mujor të vendlindjes së Ataturkut në Selanik të Greqisë, të kryer nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit dhe të koordinuar nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA).
“Shtëpia historike është restauruar në pamjen e saj të vitit 1953 dhe është rihapur për vizitorët”, tha Erdogan, duke vënë në dukje se projekti ishte pjesë e përpjekjeve të Turqisë për të ruajtur trashëgiminë e Ataturkut.
Ataturku, themeluesi dhe presidenti i parë i Republikës së Turqisë, vdiq më 10 nëntor 1938, në moshën 57 vjeç në Pallatin Dolmabahçe të Stambollit për shkak të cirrozës.
Çdo vit, kombi mban një moment heshtjeje në orën 9:05 të mëngjesit, koha e saktë e vdekjes së tij, për të nderuar trashëgiminë e tij si udhëheqësi që udhëhoqi transformimin e Turqisë në një republikë moderne dhe laike.

