BotaTop Lajme

Presidenti i Sirisë ia mbyll biznesin vëllait të tij që shfrytëzonte emrin e familjes për përfitime

Shpërndaje

Presidenti i Sirisë, Ahmad al-Sharaa, ka mbyllur zyrën e biznesit të vëllait të tij dhe ka paralajmëruar familjen “të mos shfrytëzojë emrin e familjes për përfitime personale.”

Kështu ka shkruar Reuters sipas burimeve brenda një takimi të 30 gushtit, për të cilin nuk është raportuar më parë, e u zhvillua në ish-selinë e Sharaas në provincën Idlib, në veriperëndim të Sirisë, larg zyrës së tij zyrtare presidenciale në Damask, transmeton Zeri.info.

Sipas dy pjesëmarrësve në takim dhe dy nëpunësve civilë të informuar për fjalimin — të gjithë duke kërkuar të mbeten anonimë për shkak të çështjes konfidenciale — Sharaa urdhëroi nëpunësit civilë që zotëronin makina luksoze t’i dorëzonin çelësat ose përndryshe do të hetoheshin për përfitime të paligjshme. Disa çelësa u dorëzuan ndërsa njerëzit po largoheshin në fund të takimit, thanë pjesëmarrësit për Reuters.

Balancimi i Sharaas mund të shihet edhe brenda familjes së tij.

Dy vëllezër më të mëdhenj mbajnë pozita të larta në qeverinë e re. Hazemi mbikëqyr bizneset e huaja dhe vendore si dhe investimet në Siri, përfshirë punën e ish-luftëtarëve rebelë të ngarkuar me rimëkëmbjen e ekonomisë siriane. Maheri, gjinekolog me shtetësi të dyfishtë siriano-ruse, është sekretar i përgjithshëm i presidencës, drejton mbledhje zyrtare dhe merr pjesë në takime me personalitete të huaja, përfshirë takimin e Sharaas me Vladimir Putinin në Moskë këtë muaj.

Disa zyrtarë sirianë thanë se mbështetja e Sharaas te të afërmit dhe njerëzit e besuar vinte si pasojë e nevojës për të mbushur me shpejtësi boshllëqet në administratën e tij të re, pas kolapsit të papritur të qeverisë së Assadit. Kritikët e shohin këtë si një përsëritje shqetësuese të sundimit familjar të regjimit të vjetër.

Por një vëlla tjetër më i madh — Jamali, biznesmen — është përplasur me fushatën fillestare kundër korrupsionit të Sharaas, sipas gjashtë personave të njohur me çështjen, përfshirë zyrtarë qeveritarë dhe figura biznesi.

Pas ardhjes së Sharaas në pushtet, Jamali hapi një zyrë në kryeqytetin Damask, prej nga drejtonte biznese të ndryshme, përfshirë tregtinë import-eksport dhe turizmin, thanë ata.

Ai u bë një figurë e zakonshme në hollët e hoteleve luksoze dhe restoranteve, ku shkonte me një Mercedes S-Class ngjyrë të zezë, me dritare të errëta dhe pa targa.

Sipas burimeve për Reuters, Sharaa urdhëroi mbylljen e zyrës në gusht dhe i udhëzoi institucionet shtetërore të mos kishin asnjë marrëdhënie me vëllain e tij. Vendimi lidhej me pretendimet se Jamali kishte shfrytëzuar lidhjen familjare me presidentin për të organizuar dhjetëra takime me zyrtarë dhe biznesmenë për përfitime personale, thanë ata.

Një gazetar i Reuters gjeti zyrën të mbyllur dhe të vulosur këtë muaj, me vulë dylli të kuq në dyer. Askush nuk iu përgjigj ziles së derës.

Dylli i kuq përdoret shpesh në rajon, përfshirë në Siri, për të vulosur prona të mbyllura gjatë hetimeve për korrupsion. /Zëri