Bota

Presidenti turk: ​​Turqia vazhdon ndihmën për Gazën pavarësisht pengesave të Izraelit

Shpërndaje

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan tha se Turqia vazhdon dërgimin e ndihmave humanitare në Gaza pavarësisht “pengesave të ndryshme të shkaktuara nga Izraeli” dhe paralajmëroi se siguria e rajonit është në rrezik për sa kohë që vazhdon pushtimi në Palestinë, raporton Anadolu.

Duke folur pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave në Ankara, Erdogan theksoi se asnjë vend në rajon nuk mund të jetë i sigurt ndërsa palestinezët vazhdojnë të derdhin gjak dhe të humbasin tokat e tyre.

“Anija e Mirësisë” e 18-të e Gjysmëhënës së Kuqe Turke, që mbante rreth 800 tonë ndihma, përfshirë batanije dimërore, ushqime bazë dhe furnizime të tjera të domosdoshme, mbërriti të premten në portin egjiptian al-Arish në rrugëtim drejt Gazës. Organizata gjithashtu vazhdon të sigurojë vakte të ngrohta ditore për 35 mijë persona në Gaza dhe mbështet spitalet dhe operacionet shëndetësore të drejtuara nga Gjysmëhëna e Kuqe Palestinaze.

Një armëpushim midis Hamasit dhe Izraelit është në fuqi që nga 10 tetori, por Izraeli vazhdon ta shkelë atë çdo ditë, duke shkaktuar qindra viktima palestineze. Që nga tetori 2023, sulmet izraelite kanë vrarë më shumë se 69 mijë njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, kanë plagosur mbi 170 mijë të tjerë dhe e kanë bërë territorin të pabanueshëm.

Erdogan theksoi gjithashtu se Turqia promovon paqe, drejtësi, stabilitet dhe mirëqenie të përbashkët përgjatë kufijve të saj jugorë, nga Iraku deri në Siri.