RajoniTop Lajme

RAPORTI I PROGRESIT 2025 për SHQIPËRINË: Shqipëria është gati për t’i mbyllur teknikisht negociatat e anëtarësimit brenda vitit 2027

Shpërndaje

Kryeministrit Edi Rama iu dorëzua raporti i progresit të Shqipërisë nga ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato.

Kreu i qeverisë e përshkroi raportin si një gotë e mbushur përgjysmë, ndërsa theksoi se fokusi do të jetë te gjysma bosh në mënyrë që brenda vitit 2027 të përmbyllet ky proces.

Ndër të tjera Rama u shpreh se ndihet krenare që më në fund Shqipëria është shembulli pozitiv që u jepet vendeve të tjera që duan të bëhen pjesë të BE-së.

“Ky raport thotë shumë gjëra, por mbi të gjitha thotë një gjë: që Shqipëria është në rrugën e duhur për të përmbyllur teknikisht negociatat brenda vitit 2027. Duke thënë këtë, raporti i ka thënë të tëra. Ndërkohë që patjetër, në këtë rrugë të duhur ka sfida në çdo hap. Sfida dhe çështje për t’u adresuar jo vetëm në sasi, por edhe cilësore në çdo hap. Raporti i progresit është një gotë e mbushur përgjysmë: ajo që kemi bërë dhe ajo që do bëjmë, është që duke marrë të gjithë energjinë e nevojshme nga gjysma plot, të fokusohemi tek gjysma bosh, në mënyrë që brenda vitit 2027 ta përmbyllim këtë proces.

Ky është objektivi historik, kjo është ambicia jonë. Jam krenar që askush nuk harron të thotë që Shqipëria është në pararojë të këtij procesi bashkë me Malin e Zi. Më në fund Shqipëria është shembulli pozitiv që u jepet vendeve të tjera që duan të bëhen pjesë e BE-së. Ky është raporti për mua.

Ne kemi kryer në një kohë rekord hapjen e pesë grupkapitujve. Besoj që do të kryejmë edhe hapjen e grupkapitullit të gjashtë dhe do ta mbyllim vitin me kapitujt e hapur. Ka ardhur si rezultat i faktit që dëshiroj ta sjell në vëmendje: në vitet e poshtërimit, ato vite kur na jepte Komisioni, por na i refuzonte Këshilli; kur Komisioni rekomandonte hapjen e negociatave, e Këshilli nuk arrinte dot t’i hapte, ne kemi qenë duke u përgatitur për ditën kur negociatat do të hapeshin“, tha Rama.