MaqedoniTop Lajme

Rektori i UNT-së, Bekim Fetaji u mirëprit në një takim pune nga Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi

Shpërndaje

Shkup, nëntor 2025 – Në ambientet e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, rektori i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, Prof. Dr. Bekim Fetaji, së bashku me kryetarin e Sindikatës së UNT-së, Prof. Dr. Avni Avdiu, realizuan një takim pune me kryetarin e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Afrim Gashi.

Qëllimi i takimit ishte forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional ndërmjet Kuvendit dhe Universitetit, me fokus të veçantë në rritjen e cilësisë së arsimit të lartë, si dhe nxitjen e reformave të qëndrueshme që do të kontribuojnë në zhvillimin arsimor dhe shoqëror të vendit.

Gjatë diskutimeve u shkëmbyen ide dhe propozime konkrete për përmirësimin e kushteve të punës për stafin akademik dhe krijimin e mundësive më të mira për studentët, duke theksuar rëndësinë e një dialogu të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve shtetërore dhe atyre akademike.

Rektori Fetaji, falënderoi kryetarin e Kuvendit z. Gashi, për gatishmërinë e tij për bashkëpunim dhe vlerësoi lart mbështetjen e institucioneve shtetërore ndaj arsimit të lartë publik.

UNT mbetet i përkushtuar të zhvillojë partneritete strategjike me institucionet kombëtare dhe ndërkombëtare, në funksion të përmirësimit të cilësisë së arsimit, avancimit të kërkimit shkencor dhe përgatitjes së kuadrove profesionale për tregun bashkëkohor të punës.