Rektori i UNT-së, Bekim Fetaji priti në takim pune koordinatoren rezidente të OKB-së, znj. Rita Columbia
Shkup, 10.11.2025 – Rektori i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, Prof. Dr. Bekim Fetaji, priti në një takim pune koordinatoren Rezidente të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) në Maqedoninë e Veriut, znj. Rita Columbia.
Gjatë takimit, rektori Fetaji, i shoqëruar nga prorektorja për bashkëpunim ndërkombëtar, Prof. Inor. Dr. Diturije Ismaili, dhe sekretari i përgjithshëm, Mr. Pishtar Lutfiu, e njoftoi znj. Columbia për misionin, programet akademike dhe projektet zhvillimore të UNT-së, si dhe për përpjekjet e institucionit në integrimin e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm në mësimdhënie, kërkim shkencor dhe bashkëpunim ndërkombëtar.
Në këtë kuadër, të dy palët shprehën gatishmëri për të forcuar bashkëpunimin ndërmjet Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup dhe zyrës së Kombeve të Bashkuara në Maqedoninë e Veriut, me qëllim zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta në fushat e arsimimit cilësor, inovacionit, barazisë gjinore, si dhe zhvillimit të qëndrueshëm social dhe ekonomik.
Znj. Columbia përgëzoi Universitetin për angazhimin në drejtim të përfshirjes së parimeve të qëndrueshmërisë në sistemin arsimor dhe theksoi rëndësinë e partneriteteve ndërmjet institucioneve akademike dhe organizatave ndërkombëtare.

