Trump pret në Shtëpinë e Bardhë princin e kurorës të Arabisë Saudite! Mohammed bin Salman rikthehet në Uashington pas vizitës në 2018
Princi saudit i kurorës, Mohammed bin Salman, ka mbërritur në Shtëpinë e Bardhë për takimin dypalësh me presidentin amerikan Donald Trump. Kreu i Shteteve të Bashkuara e priti personalisht jashtë godinës, ndërsa në sfond luhej muzikë ceremoniale për nder të mbërritjes së liderit saudit.
Dy udhëheqësit shkëmbyen një shtrëngim të ngrohtë duarsh, përpara se të qëndronin në këmbë teksa avionë luftarakë kryen një fluturim spektakolar mbi rezidencën presidenciale.
Kjo vizitë shënon rikthimin e parë të princit të kurorës në Shtëpinë e Bardhë që prej vitit 2018, kur CIA kishte arritur në përfundimin se ai kishte urdhëruar drejtpërdrejt vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi, një çështje që kishte shkaktuar krizë të thellë diplomatike.
Takimi i sotëm zhvillohet në kuadër të kontakteve intensive diplomatike, me SHBA-në dhe Arabinë Saudite që synojnë një marrëveshje të re sigurie dhe bashkëpunim strategjik më të gjerë.
Arabia Saudite mund të investojë 1 trilion dollarë në SHBA, thotë Princi i Kurorës
Arabia Saudite do të investojë 600 miliardë dollarë në SHBA, ka thënë presidenti amerikan, Donald Trump, gjatë takimit të martën në Shtëpinë e Bardhë me Princin e Kurorës, Mohammed bin Salman.
Premtimi për investimin ishte bërë gjatë vizitës së Trumpit në shtetet e Gjirit, në muajin maj.
“Kjo shifër mund të rritet pak më shumë. E vlerësojmë shumë”, ka thënë Trumpi gjatë takimit me Princin.
E këtë e ka konfirmuar Princi i Kurorës, Mohammed bin Salman, i cili ka thënë se ai mund ta rrisë investimin prej 600 miliardë dollarësh në SHBA, në 1 trilion dollar.
“Paratë do të nënkuptojnë më shumë investime në fabrika, kompani dhe në Wall Street”, ka thënë Trumpi.
Ai ka shtuar se kjo do të ndihmojë gjithashtu në krijimin e vendeve të punës në SHBA.
Trumpi e ka quajtur bin Salmanin një aleat të shkëlqyer.
Presidenti amerikan ka mbrojtur po ashtu Princin lidhur me vrasjen e gazetarit të Washington Post, Jamal Khashoggi
Ai ka thënë se princi ka bërë një “punë fenomenale” dhe ka nënvizuar se “ai nuk dinte asgjë për (vrasjen).
Ai gjithashtu ka shtuar se vetë Khashoggi ishte “jashtëzakonisht i diskutueshëm”.
Vizita e sotme e Princit të Kurorës në Shtëpinë e Bardhë është e para e tij që nga vrasja e kritikut saudit Khashoggi në vitin 2018 nga agjentët sauditë në Stamboll, e cila shkaktoi një trazirë globale.
Inteligjenca amerikane kishte arritur në përfundimin se MBS-ja kishte miratuar kapjen ose vrasjen e Khashoggit.
Princi i Kurorës, i njohur gjerësisht me inicialet e tij MBS, ka mohuar se kishte urdhëruar operacionin, por ka pranuar përgjegjësinë si sundimtar de facto i mbretërisë.

