BotaTop Lajme

Turqia dërgon “Anijen e 18-të të Mirësisë” me ndihma dimërore dhe furnizime ushqimore për Gazën

Shpërndaje

Gjysmëhëna e Kuqe Turke dërgoi sot në Gaza “Anijen e 18-të të Mirësisë” me rreth 800 tonë ndihma humanitare, përfshirë artikuj ndihme dimërore dhe furnizime ushqimore, ndërsa përpjekjet e ndihmës përshpejtohen pas armëpushimit të shpallur së fundmi, raporton Anadolu.

Anija, e cila u nis nga porti mesdhetar i Mersinit, transporton kryesisht furnizime ushqimore dhe materiale ndihme dimërore, përfshirë 7.500 batanije dhe 50.000 pako ushqimore familjare të dizajnuara për të përmbushur nevojat mujore të një familjeje.

Duke folur në ceremoninë e përcjelljes, presidentja e Gjysmëhënës së Kuqe Turke, Fatma Meric Yilmaz tha se Gaza mbetet “plagë në ndërgjegjen e njerëzimit”, duke shtuar se organizata do të vazhdojë të dërgojë ndihma “për sa kohë që portat mbeten të hapura”.

“Kishte raste kur nuk mund të hynte ndihma në Gaza, spitalet bombardoheshin dhe familjet varrosnin të dashurit e tyre me duart e tyre”, tha ajo, duke shtuar se: “Tani që është në fuqi një armëpushim, shpresojmë që ai të bëhet i përhershëm në mënyrë që të mund të arrijmë më shumë njerëz në nevojë”.

Yilmaz thotë se pavarësisht kufizimeve, Gjysmëhëna e Kuqe Turke ka vazhduar operacionet e përditshme në Gaza, duke siguruar ushqime të ngrohta për rreth 35.000 persona dhe duke mbështetur spitalet dhe shërbimet shëndetësore të Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze.

Ajo tha se dërgesa e re përqendrohet në ndihmën ndaj civilëve që përballen me kushte të ashpra dimërore dhe mungesa ushqimore, veçanërisht jetimëve, të moshuarve dhe personave me aftësi të kufizuara.

“Anijet tona të Mirësisë sjellin dhembshurinë, solidaritetin dhe shpresën e popullit turk në Gaza. Ne do të vazhdojmë derisa Gaza të ngrihet përsëri në këmbë”, shtoi Yilmaz.

Anija pritet të arrijë në portin El-Arish të Egjiptit brenda tre ditësh, ku ngarkesa do të transferohet në kamionë për t’u dorëzuar në Gaza përmes kalimeve kufitare.