Universiteti i Tetovës pjesëmarrës në Kongresin e Tretë të Rrugëve të Maqedonisë
Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli bashkë me dekanin e Fakultetit të Shkencave të Zbatuara Prof. Dr. Enis Jakupi, si dhe me profesorët e këtij fakulteti Prof. Dr. Shinasi Zejneli dhe Mr. Sc. Visar Palloshi, morën pjesë në Kongresin e Tretë të Rrugëve të Maqedonisë -ngjarje me karakter ndërkombëtar që mblodhi në një vend shkencëtarë, profesorë dhe ekspertë të fushës së infrastrukturës rrugore dhe transportit.
Ky kongres, i cili është ndër ngjarjet më të rëndësishme profesionale në vend, trajtoi çështje thelbësore që lidhen me investimet kapitale në ndërtimin dhe modernizimin e rrugëve në Maqedoninë e Veriut, me një vlerë totale që tejkalon 5 miliardë euro. Gjatë punimeve të kongresit, u zhvilluan diskutime të gjera mbi projektimin dhe menaxhimin e rrugëve, sigurinë në trafik, zhvillimin e qëndrueshëm, politikat moderne të transportit, si dhe mbi përdorimin e teknologjive bashkëkohore, përfshirë inteligjencën artificiale dhe sistemet digjitale të menaxhimit të infrastrukturës.
Pjesëmarrja e përfaqësuesve të Universitetit të Tetovës në këtë ngjarje të rëndësishme thekson rolin aktiv të Universitetit në zhvillimin shkencor dhe profesional të vendit, si dhe angazhimin e tij në ndërtimin e urave të bashkëpunimit midis akademisë dhe sektorit të inxhinierisë dhe infrastrukturës.
Nëpërmjet prezencës së tyre në këtë kongres, përfaqësuesit e Universitetit të Tetovës kontribuuan me përvojën dhe njohuritë e tyre në fushën e shkencave të zbatuara, duke shkëmbyer ide dhe përvoja me ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë, në funksion të zhvillimit të dhe modernizimit të infrastrukturës rrugore në vend.

