VLEN dhe Mickoski pritet të takohen për ndryshimet në qeveri
Takimi mes krerëve të VLEN dhe kryeministrit Hristijan Mickoski pritet të jetë vendimtar sa i takon rikonstruimit të paralajmëruar të qeverisë ose plotësimin vetëm të pozitave boshe pas zgjedhjeve lokale. Deri sa kryeministri ka mohuar që bëhet fjalë për rikonstruim të qeverisë por vetëm për plotësimin e vendeve vakante, mediat tashmë flasin për riorganizimin të ndarjes së resorëve mes partnerëve të koalicionit dhe për emra konkret të ministrave të rinj eventual.
Zërat jozyrtar thonë se “në lojë” për ndryshime ose këmbime janë Shëndetësia, Arsimi, Drejtësia, Çështjet Evropiane, Ekologjia dhe Politika Sociale.
Nga VMRO-DPMNE-ja thonë e rëndësishme është që komunikimi mes partnerëve të koalicionit është i mirë dhe që do të bisedohet për individët dhe jo për numrin e posteve.
“Duke e marrë parasysh funksionimin e kësaj qeverie në periudhën prej një vit e gjysmë ku me të gjitha sfidat në përgjithësi kemi bashkëpunuar mjaft mirë dhe kemi pasur kapacitet të përbashkët që t’i tejkalojmë të gjitha sfidat, unë jam i bindur se në ditët e ardhshme do të arrihet marrëveshje e cila para së gjithash do të fokusohet te rritja e efikasitetit të qeverisë. Nuk bëhet fjalë për numrin e posteve të partnerëve të koalicionit por bëhet fjalë për kapacitetin e individëve, njohuritë, përvojat e tyre dhe si ata do të kontribuojnë në te institucionet që duan t’i drejtojnë,” tha Timço Mucunski, Ministër i Jashtëm.
Nga VLEN, siç mëson Alsat, gjithashtu do të duan të dinë nëse rikonstruimi do të lihet pas janarit, siç ka njoftuar kryeministri dhe çfarë do të ndodhë me pozitat boshe deri atëherë.
Partitë brenda koalicionit, edhe zyrtarisht kanë thënë se nuk do të ndryshohet ndarjeve e resorëve brenda koalicionit dhe se nuk ka nevojë për ndryshime, sepse zgjedhjet lokale nuk sollën asnjë ndryshim brenda koalicionit. Deri tani, është pothuajse e qartë vetëm se Bekim Sali do të jetë zv.kryeministër i parë në vendin e Izet Mexhitit.

