VLEN: Largimi i Llogës, kolaps i AKI-së! Ademi: Vendimi i tij është akt personal
Vendimi i ish-ministrit të Drejtësisë, Krenar Lloga, për t’u tërhequr nga të gjitha funksionet në Aleancën për Shqiptarët, sipas VLEN është një tregues i qartë se në koalicionin AKI po ndodh kolaps. Sipas komunikatës së VLEN, rënia e AKI-së tregon se “kulla 20-vjeçare e mashtrimit po shembet gur pas guri”.
“Ajo që po ndodh sot në skenën politike shqiptare nuk është dorëheqje, është rrëzim. Është shembja e një ndërtese të ngritur me mashtrime, improvizime dhe lojëra pas shpinës së qytetarëve. Me tërheqjen e Krenar Llogës, pas largimit të Menduh Thaçit, pas panikut në BDI dhe heshtjes tre–kokëshe Ahmeti–Taravari–Sela tash e tetë ditë, është bërë krejtësisht e qartë: AKI nuk ekziston më. Është shuar, tretur dhe mbetur vetëm si një hije e vetvetes”, thotë VLEN.
Kur u pyet për atë që po ndodh në koalicion pas largimit të Llogës, nënkryetari i BDI-së, Arbër Ademi, tha se ky ishte vendim i tij personal. Për komentet e VLEN se ata po shkojnë drejt kolapsit, Ademi tha se ata janë “Frankenstein politik” i kryeministrit Mickoski.
“Ky është zhvillim i brendshëm në Aleancën për Shqiptarët. Sigurisht, është akt personal i zotit Lloga dhe padyshim që për arsyet duhet të drejtohemi tek ai, edhe pse ai e bëri publik vendimin e tij për t’u tërhequr nga Aleanca për Shqiptarët. Nuk ia vlen të merremi me VLEN, duke pasur parasysh se ata janë marioneta të kryeministrit Mickoski dhe Frankenstein politik i tij, deklaroi Arbër Ademi.
Ish-ministri i Drejtësisë, Krenar Loga, shpalli dorëheqjen e tij nga Aleanca për Shqiptarët në rrjetet sociale. Ai tha se si nënkryetar i partisë kishte respektuar mbështetjen, por kishte vendosur të vazhdojë rrugën e tij në një mënyrë më të lirë dhe të pavarur.
Më poshtë ju sjellim vendimin e Krenar Llogës:
Të nderuar bashkëpartiakë, të nderuar qytetarë,
Pas një periudhe të gjatë analize dhe reflektimi, kam vendosur të tërhiqem nga jeta partiake dhe nga çdo funksion që kam mbajtur deri më sot në Aleancën për Shqiptarët.
Ky nuk është një vendim i lehtë për mua, sepse gjatë gjithë kësaj rruge kam dhënë zemrën, mundin dhe shpirtin tim, madje edhe më shumë se kaq. Kam njohur bashkëpunëtorë besnikë e të palodhur, ashtu siç kam njohur edhe të tillë që nuk e përballuan rrugëtimin e gjatë e plot sfida.
Gjatë këtyre dhjetë viteve kam pasur fatin të njoh njerëz të përkushtuar, miq të sinqertë dhe bashkëpunëtorë të devotshëm. Kemi përjetuar beteja që kanë lënë gjurmë tek ne, ashtu siç kemi lënë gjurmë edhe ne në ato beteja.
Ky rrugëtim ka qenë i njëmend dhe i vërtetë. Në këto vite debatesh, kritikash e përplasjesh mund të ketë ndodhur që të kemi bërë diçka edhe me tepri, e nëse dikush është ndier i prekur apo i lënduar nga fjala apo veprimi im, ky është momenti që t’i kërkoj ndjesë. Gjithmonë kam thënë bindjet dhe të vërtetat e mia pa llogaritur koston që mund të sillnin ato. Edhe kur ato nuk ishin popullore, kam zgjedhur të mos i fsheh, sepse e vërteta dhe e nesërmja kërkojnë guxim.
Përgjatë kësaj ecjeje partiake e publike kam pasur nderin të mbaj përgjegjësinë si sekretar i përgjithshëm dhe më pas si nënkryetar, dhe kjo ka qenë e mundur vetëm falë mbështetjes së njerëzve dhe aktivistëve të Aleancës për Shqiptarët, të cilëve u shpreh falënderim të veçantë, pa harruar të falënderoj edhe votuesit e Frontit Europian dhe të Besëlidhjes Aleanca Kombëtare për Integrim, që më kanë dhënë mbështetjen e tyre në çdo veprim tonin.
Jam gatuar në një ambient familjar, politik e kombëtar; i lindur brenda një familjeje që kishte zgjedhur mbijetesën herë përmes bujqësisë e herë përmes gurbetit, për të vetmen arsye: të mundë, të rezistojë e të përplaset më lehtë me regjimin jugosllav. Jam rritur mes dy vëllezërve që mbetën pa emra deri në klasë të parë, sepse regjimi nuk lejonte emra shqiptarë “irredentistë”; rritur e rrethuar me të burgosur politikë, të diferencuar e të përndjekur; rritur me frymën e rilindjes kombëtare dhe të atdhedashurisë, frymë që do të më mbajë gjithmonë, pavarësisht rolit që jeta mund të më ofrojë.
Kam aq shumë për të treguar… Uroj që një ditë të kem guximin t’i hedh në letër të gjitha ato ndodhi e procese.
Vendi ynë, Maqedonia e Veriut meriton të ngritet si një shtet i lirë dhe i barabartë për të gjithë qytetarët e saj. Shumë sfida janë kaluar, dhe shumë të tjera duhet të përballohen me kujdes, guxim dhe maturi. Na mbetet detyrë e përbashkët, si shqiptarë, maqedonas, turq, vllehë, boshnjakë e të tjerë, të ndërtojmë këtë vend si një shtëpi të dashur dhe të respektuar nga të gjithë.
Do të vazhdoj të jem mes jush, por tashmë në një vallëzim më të lirë e pa koreografi – një solist që ndoshta do ta ketë të vështirë të luajë vetëm, por që do ta bëjë me shpirt të lirë dhe me dashuri për njerëzit.
Me respekt dhe mirënjohje për të gjithë,
Krenar Lloga

