VLEN: Me këshilltarët tanë në krye të vendimmarrjes, Shkupi po rikthehet në binarët e zhvillimit dhe stabilitetit financiar
Në seancën e djeshme të Këshillit të Qytetit të Shkupit, falë angazhimit të palëkundur, profesionalizmit dhe qasjes shtetndërtuese të këshilltarëve të VLEN-it, u miratua rebalansi i buxhetit për vitin 2025, një hap vendimtar që hap rrugën për një menaxhim më të mençur të parasë publike dhe për projekte që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.
Rebalansi i miratuar krijon bazën për një menaxhim më efikas të mjeteve publike, duke siguruar që çdo denar të shkojë aty ku ka më shumë nevojë: te shërbimet cilësore, infrastruktura moderne dhe mirëmbajtja e qytetit.
Këshilltarët e VLEN-it ishin përkrahës të plotë të këtij procesi, duke dëshmuar qasje të përgjegjshme dhe konstruktive për stabilizimin financiar të Shkupit.
Me këtë rebalans hapet rrugë për: përforcimin e programeve të zhvillimit 2025–2027, modernizimin teknologjik dhe shërbimet digjitale, mirëmbajtjen e rrugëve dhe menaxhimin e infrastrukturës gjatë dimrit, pastërtinë publike dhe gjelbërimin, mbështetjen e ndërmarrjeve publike, përmirësimin e politikave sociale, mjedisore, kulturore dhe arsimore.
VLEN falënderon të gjithë këshilltarët që mbështetën këtë proces dhe kontribuan në kthimin e stabilitetit institucional. Ky është një hap i rëndësishëm drejt një Shkupi që funksionon, një qyteti më të pastër, më modern dhe më efikas.
Ne mbetemi të përkushtuar të punojmë me përgjegjësi, transparencë dhe fokus të plotë te nevojat e qytetarëve. Shkupi meriton menaxhim të mirëfilltë dhe ky është drejtimi ku po ecim.

