Anija humanitare e Kosovës dërgon ndihma në Gaza me vlerë 500 mijë euro
Një anije me ndihma humanitare nga Kosova për palestinezët në Gazën e shkatërruar nga lufta është nisur nga porti i Mersinit në Turqi drejt enklavës palestineze, njoftoi të shtunën kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Në një njoftim në Facebook, Kurti tha se dërgesa në vlerë prej 500 mijë eurove përfshin tenda, pako ushqimore, batanije dhe 158 mijë racione të ushqimit të ngrohtë për banorët në nevojë.
Postimi nga KURTI:
Sapo morëm njoftimin se anija e ngarkuar me ndihmën humanitare të Qeverisë së Republikës së Kosovës, e dedikuar për popullin e Gazës, është nisur nga porti i Mersinit në Turqi. Dërgesa jonë humanitare, me vlerë prej 500 mijë euro, përfshin tenda, pako ushqimore, batanije dhe 158 mijë racione të ushqimit të ngrohtë për banorët në nevojë atje.
Edhe pse Qeveria e Republikës së Kosovës e ka marrë këtë vendim që në janar, realizimi i tij u bë i mundur vetëm pas marrëveshjes së fundit të paqes, të arritur nën udhëheqjen e Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
Kjo ndihmë humanitare përfaqëson angazhimin e Republikës së Kosovës si pjesë e solidaritetit ndërkombëtar dhe përkushtimin tonë për të mbështetur popullatën civile që po përballet me vështirësi tejet të mëdha në Gaza. Na gëzon fakti që jemi qeveria e parë e Republikës së Kosovës që arrijmë të ofrojmë një mbështetje të tillë për banorët e Gazës. Shpresojmë që ajo të kontribuojë, qoftë edhe në mënyrë modeste, në lehtësimin e vuajtjeve dhe në përpjekjet për paqe, siguri dhe stabilitet për të gjithë.
Me këtë rast, dua të shpreh mirënjohjen time të thellë për Republikën e Turqisë dhe Gjysmëhënën e Kuqe Turke, për bashkëpunimin e ngushtë dhe ndihmën në realizimin e këtij operacioni humanitar.

