MaqedoniTop Lajme

Bekim Sali zgjidhet zv.kryeministër i parë – Një përgjegjësi e re për rrugën evropiane të vendit

Shpërndaje

Bekim Sali është emëruar zëvendëskryeministër i parë dhe ministër për Çështje Evropiane. Ai merr këtë post pas shkarkimit të Orhan Murtezanit, i cili sot është liruar nga detyra e ministrit.

Postimi nga Sali:
Të nderuar dhe shumë të respektuar qytetarë,
Sot, në Kuvend, jam emëruar zyrtarisht në pozitën e Ministrit për Çështje Evropiane. Kjo nuk është vetëm një detyrë institucionale, por një përgjegjësi e madhe morale dhe politike ndaj çdo qytetari që beson në një të ardhme më të drejtë, më të zhvilluar dhe evropiane për vendin tonë.
Ky rrugëtim nuk ka qenë i lehtë dhe nuk do të jetë i tillë as përpara. Prandaj, me mirënjohje të thellë falënderoj secilin që ka qenë pjesë e këtij udhëtimi të përbashkët, që ka besuar, ka kontribuar dhe ka qëndruar pranë nesh edhe në momentet më sfiduese.
Në veçanti, dua të falënderoj mikun tim të çmuar, Prof. Zeqirija Ibrahimin, për mbështetjen e tij të palëkundur dhe për besimin e dhënë pa rezerva. Mbështetja e tij ka qenë forcë dhe shtysë në çdo hap të këtij rrugëtimi.
Po ashtu, shpreh respekt dhe mirënjohje për ministrin e deritanishëm, z. Orhan Murtezani, për kontributin e tij të çmuar, për udhëheqjen e përgjegjshme dhe bashkëpunimin korrekt. Jam i bindur se edhe në vazhdim do të kemi një bashkëpunim të ngushtë dhe konstruktiv në proceset e rëndësishme që na presin.
Integrimi i vendit në Bashkimin Evropian është mision politik, obligim shtetëror dhe shpresë qytetare që nuk pret më. Me Qeverinë, institucionet dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, do të angazhohemi me vendosmëri, transparencë dhe përkushtim maksimal për realizimin e reformave dhe afrimin real të vendit tonë drejt familjes evropiane.
Me përgjegjësi, me unitet dhe me besim në vlerat evropiane, do ta çojmë këtë proces përpara, për qytetarët tanë dhe për brezat që vijnë.