Berisha: Vendimi i Kushtetueses u shkrua në zyrën e Ramës
Sali Berisha e pranon si një fitore të Edi Ramës vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të pezulluar vendimin e gjykatës së posaçme për zv/kryeministren, vendim që gjithsesi, për kryedemokratin, është antikushtetues dhe i ndërmarrë nën presionin e ushtruar nga kryeministri mbi gjyqtarët kushtetues.
“Gjykata Kushtetuese nuk mund të hiqte kurrë masën e pezullimit pa u shqyrtuar ajo në shkallët e tjera të sistemit gjyqësor.“
Sali Berisha thotë se di arsyen pse oficerët e BKH-së janë ndaluar të hyjnë të armatosur në godinën qeveritare, fakt që u pohua edhe nga vetë Rama në podcastin e tij.
“Edi Rama vuan nga fobi, ndaloi oficerët e BKH-së sepse mund të sillnin urdhër-arrestin.“
Kërkesën e gjyqtarëve dhe prokurorëve drejtuar Gjykatës Kushtetuese për rritje të pagave, ndryshe nga Rama, e sheh legjitime.
“Kerkojnë atë që ka parim Kushtetuta, proporcionalitetin.”
Berisha iu bën thirrje demokratëve që bashkëbiseduan virtualisht me të këtë të dielë, të bëhen pjesë e protestave kombëtare që do të nisin të hënën e 22 dhjetorit dhe s’do të ndalen sipas tij deri në rrëzimin e Edi Ramës.
“Të gjitha format e protestave do të përdoren dhe duhet të përdoren.“
Pranon debatet e zhvilluara në mbledhjen e kryesisë një ditë më parë, por që sipas tij janë të frytshme dhe nuk dëshmojnë përçarje të forcës që ai drejton.
“Mbledhja ishte jashtëzakonisht e rëndësishme, nuk ka përçarje.“

