RajoniTop Lajme

Kosova renditet e para në Evropë dhe e treta në botë në Indeksin e Ligjit dhe Rendit

Shpërndaje

Postimi nga Donika Gërvalla
Kosova renditet e para në Evropë dhe e treta në botë në Indeksin e Ligjit dhe Rendit, bazuar në raportin më të fundit “Global Safety” të Gallup-it (2025).
Sipas Indeksit Global të Krimit të Organizuar 2025, Kosova është përmirësuar me 34 vende në krahasim me vitin 2021 dhe vlerësohet si shteti me nivelin më të ulët të kriminalitetit në Ballkanin Perëndimor.
Ndërkohë, sipas Transparency International, Kosova është ngritur me 31 vende në krahasim me vitin 2020 në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit, duke arritur renditjen dhe vlerësimin më të mirë deri më tani për vendin tonë në këtë indeks.
Në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, Republika e Kosovës paraqitet para qytetarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë me rezultate të matshme në fushën e sundimit të ligjit, sigurisë dhe luftës kundër korrupsionit e krimit të organizuar.
Këto vlerësime ndërkombëtare janë dëshmi e përpjekjeve të përbashkëta të institucioneve shtetërore, organeve të zbatimit të ligjit, shoqërisë civile, mediave që ushtrojnë gazetari të pavarur e të përgjegjshme dhe qytetarëve që nuk pajtohen me korrupsionin, por njëkohësisht kujtesë se lufta kundër korrupsionit nuk përfundon me një raport apo indeks. Integriteti, transparenca dhe llogaridhënia duhet të jenë standard i përditshëm në çdo institucion publik dhe në çdo vendimmarrje që prek interesin e qytetarëve.
Në vitin 2021 kemi premtuar një luftë të pakompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Rezultatet e arritura në indekset ndërkombëtare të sigurisë, sundimit të ligjit dhe perceptimit të korrupsionit dëshmojnë se kjo betejë po jep efekt, çdo ditë dhe në çdo nivel të qeverisjes, duke forcuar mekanizmat e parandalimit, hetimit dhe ndëshkimit të tij, duke garantuar se askush nuk qëndron mbi ligjin në Republikën e Kosovës.