Bota

Fidan: Ankaraja po punon për të çuar përpara planin e paqes në Gaza sa më parë

Shpërndaje

Ministri turk i Punëve të Jashtme i Turqisë, Hakan Fidan, ka deklaruar se Ankaraja do të vazhdojë përpjekjet për të çuar përpara një plan të menjëhershëm të paqes dhe për të thelluar tragjedinë humanitare.

Duke folur për Anadolu në margjinat e Forumit të Dohas 2025, Fidan tha se Ankaraja është e përkushtuar të ndjekë “hapa konkret dhe praktik” për Gazën.

“Po zhvillohet një punë e madhe humanitare dhe diplomatike për të ndaluar luftën dhe për ta vënë në veprim planin e paqes. Por qëllimet e Izraelit mbeten po aq negative. Ky proces duhet të menaxhohet me kujdes”, tha Fidan.

Fidan tha se vendosmëria e tyre për të zbatuar mekanizmat që do të sigurojnë koordinimin në çuarjen përpara të marrëveshjes së paqes vazhdon, si dhe shtoi se dialogu i ngushtë është duke vazhduar në këtë drejtim.

“Teksa takohemi me miqtë dhe partnerët tanë në rajon, si dhe me miqtë tanë amerikanë dhe evropianë, ne do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka që mundemi për të siguruar që plani i paqes për Gazën të vihet në veprim sa më parë dhe që kjo tragjedi humanitare të marrë fund”, tha ai.

Plani i paqes për Gazën përfshin lirimin e të gjitha pengjeve izraelite në këmbim të të burgosurve palestinezë, një armëpushim të përhershëm, një tërheqje graduale të forcave izraelite, një mekanizëm të ri qeverisës dhe rindërtimin e enklavës që Izraeli e ka shkatërruar në dy vjet luftë. Një armëpushim, i shkelur vazhdimisht nga Izraeli, është në fuqi që nga tetori.

Fidan gjithashtu shqyrtoi librat e agjencisë Anadolu të paraqitur në forum, përfshirë “Dëshminë” (The Evidence) që përmban materiale vizuale që dokumentojnë qartë krimet e Izraelit në Gaza dhe shërbejnë si provë kyçe, “Dëshmitarin” (The Witness) që përfshin dëshmi nga gazetarë, punonjës shëndetësorë dhe viktima në Gaza, si dhe Autori i Krimit (The Perpetrator) që detajon ata që janë përfshirë në krimet në Gaza, qoftë si autorë të drejtpërdrejtë apo si mbështetës.

Ai vlerësoi punën, duke theksuar se librat “përmbajnë informacion të gjerë rreth asaj që ndodhi në Gaza”.

Edicioni i 23-të i Forumit të Dohas filloi në kryeqytetin e Katarit sot nën temën “Drejtësia në veprim: Përtej premtimeve për progres”.

Ngjarja 2-ditore bashkon liderë global, përfshirë presidentin sirian, Ahmad al-Sharaa, ministrin turk të Punëve të Jashtme, Hakan Fidan, kryediplomatin spanjoll, Jose Manuel Albares, presidentin dhe shefin ekzekutiv të Forumit Ekonomik Botërore, Borge Brende, ish-sekretaren e Shtetit të SHBA-së, Hillary Clinton dhe ish-shefin ekzekutiv të kompanisë Microsoft, Bill Gates.

Anadolu është partneri global i komunikimit i ngjarjes.

Programi i vitit 2025, i zhvilluar me grupe ekspertësh dhe institucione kërkimore globale, përmban seanca si “Llogaridhënie për Gazën: Ri-rregullimi i përgjegjësive globale dhe rrugëve drejt paqes”, “Marrëdhëniet midis Gjirit dhe BE-së në epokën e izolimit strategjik”, “Inteligjenca artificiale si shpatë me dy tehe: Strategjia për përdorim të përgjegjshëm në fushën ushtarake” dhe “Marrëdhëniet SHBA-Kinë: Lundrimi në rreziqet dhe mundësitë e një rendi global në ndryshim”.

Edicioni më i fundit i forumit, i mbajtur në dhjetor të vitit 2024, nën temën “Imperativi i inovacionit”, mirëpriti më shumë se 5 mijë pjesëmarrës, përfshirë mbi 350 folës.