Filloi punimet kongresi dhe konferenca ndërkombëtare dyditore për zhvillim të qëndrueshëm “TSD 2025” në UNT
Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup përmbylli me sukses ditën e parë të punimeve të Kongresit të III-të dhe Konferencës Ndërkombëtare për Zhvillim të Qëndrueshëm “TSD 2025”, e cila po zhvillohet sot dhe nesër në ambientet e Universitetit.
Në këtë konferencë, të organizuar nën patronazhin e rektorit të UNT-së, Prof. Dr. Bekim Fetaji, morën pjesë akademikë, studiues, ekspertë dhe përfaqësues institucionalë nga vende të ndryshme, të cilët diskutuan mbi çështje aktuale që lidhen me zhvillimin e qëndrueshëm, inovacionin shkencor, teknologjinë dhe sfidat globale të së ardhmes.
Punimet e konferencës u hapën nën moderimin e prorektorit për Shkencë, Prof. Dr. Sani Demiri, ndërsa në hapjen zyrtare të Kongresit të III-të dhe Konferencës Ndërkombëtare, fjalë përshëndetëse mbajti rektori i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, Prof. Dr. Bekim Fetaji.
Në fjalën e tij, rektori Fetaji theksoi se Konferenca “TSD 2025” përfaqëson një platformë të rëndësishme shkencore për hulumtimin dhe promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm në rajonin e Ballkanit dhe më gjerë, duke vënë në pah se pjesëmarrja e studiuesve nga më shumë se gjashtë shtete dëshmon karakterin ndërkombëtar të konferencës dhe rëndësinë e bashkëpunimit ndërkufitar në adresimin e sfidave globale të qëndrueshmërisë.
Ai nënvizoi se sfida të tilla si ndryshimet klimatike, menaxhimi i burimeve, barazia ekonomike dhe mirëqenia sociale kërkojnë qasje të përbashkëta dhe ndërdisiplinore, duke theksuar se zgjidhjet nuk gjenden në izolim, por në shkëmbimin e ideve, dijes dhe përvojave shkencore.
Gjatë ditës së parë të Kongresit dhe Konferencës “TSD 2025”, prezantime shkencore realizuan Prof. Dr. Ahu Altinkut Uncuoglu nga Universiteti i Marmarasë dhe Prof. Dr. Arianit Reka nga Universiteti i Tetovës, të cilët elaboruan gjetjet dhe rezultatet e hulumtimeve të tyre shkencore.
Në mënyrë online u përfshinë gjithashtu Prof. Dr. Christina Wassenaar nga Nju Jorku, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe Prof. Dr. Dilshad Dayani nga Universiteti i Kolumbisë, SHBA, duke kontribuar në dimensionin ndërkombëtar dhe multidisiplinar të konferencës.
Në kuadër të konferencës, fjalë përshëndetëse mbajti edhe zëvendësudhëheqësi i Misionit të Ambasadës së Austrisë në Shkup, z. Matthias Humenberger, i cili vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimit akademik dhe shkencor ndërkombëtar në promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm dhe inovacionit.
Gjatë ditës së parë të konferencës u prezantuan kumtesa shkencore dhe u zhvilluan diskutime të frytshme, duke theksuar rolin kyç të institucioneve akademike dhe bashkëpunimit ndërkombëtar në promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm.
Në kuadër të agjendës, Konferenca Ndërkombëtare “TSD 2025” vijon nesër në ambientet e Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, me prezantimin e punimeve shkencore nga hulumtues dhe studiues të fushave të ndryshme.

