Forumi i Dohës përfundon mes sfidave globale që dominuan agjendën
Edicioni i 23-të i Forumit të Dohës ka përfunduar në kryeqytetin e Katarit të dielën pas dy ditësh diskutimesh të nivelit të lartë që tërhoqën më shumë se 6 mijë pjesëmarrës nga mbi 150 vende, raporton Anadolu.
I organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Katarit, forumi i këtij viti u mbajt nën temën “Drejtësia në veprim: Përtej premtimeve për progres”.
Pjesëmarrësit, përfshirë ministra, diplomatë dhe ekspertë, u mblodhën për të adresuar sfidat më urgjente gjeopolitike, humanitare, ekonomike dhe teknologjike të botës.
Ngjarja 2-ditore mblodhi së bashku liderë global, përfshirë presidentin sirian, Ahmad al-Sharaa, ministrin turk të Punëve të Jashtme, Hakan Fidan, ministrin spanjoll të Punëve të Jashtme, Jose Manuel Albares, presidentin dhe shefin ekzekutiv të Forumit Ekonomik Botëror, Borge Brende, ish-sekretaren e Shtetit të SHBA-së, Hillary Clinton dhe bashkë-themeluesin dhe ish-shefin ekzekutiv të kompanisë Microsoft, Bill Gates.
Anadolu është partneri global i komunikimit i ngjarjes.
Programi i vitit 2025, i zhvilluar me grupe ekspertësh dhe institucione kërkimore globale, paraqiti shumë seanca, duke përfshirë “Llogaridhënia për Gazën: Rivlerësimi i përgjegjësive globale dhe rrugëve drejt paqes”, “Marrëdhëniet mes Gjirit dhe BE-së në epokën e izolimit strategjik”, “Inteligjenca artificiale si shpatë me dy tehe: Strategji për përdorim të përgjegjshëm në fushën ushtarake” dhe “Marrëdhëniet SHBA-Kinë: Lundrimi në rreziqet dhe mundësitë e një rendi global në ndryshim”.

