RajoniTop Lajme

Gjykata dënon me dy vjet burg serbin që sulmoi ushtarët e KFOR-it dhe Policinë e Kosovës në Zveçan

Shpërndaje

Gjykata Themelore e Prishtinës ka dënuar me dy vjet burgim dhe 14 mijë euro gjobë Lubisha Miljkoviqin, i cili e pranoi fajësinë për dhunën e ushtruar ndaj pjesëtarëve të Misionit të NATO-s në Kosovë – KFOR dhe Policisë së Kosovës gjatë protestave në Zveçan më 29 maj 2023, transmeton Anadolu.

Millkoviq u shpall fajtor në bazë të marrëveshjes së tij të arritur me Prokurorinë Speciale, e cila e akuzonte për sulm ndaj personit zyrtar, pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm.

Për pranimin e fajësisë, avokati i të pandehurit, Millosh Deleviq, tha se marrëveshja është arritur “me vullnet të plotë”.

I pandehuri ishte arrestuar më herët gjatë këtij viti dhe, sipas gjykatës, do të mbetet në paraburgim derisa aktgjykimi të marrë formë të prerë.

Ngjarjet në Zveçan më 29 maj 2023 shpërthyen pas bojkotit të zgjedhjeve lokale të prillit nga serbët e veriut, çka çoi në zgjedhjen e kryetarëve shqiptarë dhe ndezi protesta kundër hyrjes së tyre në komunë.

Më 29 maj, protestuesit serbë u përplasën dhunshëm me Policinë e Kosovës dhe trupat e KFOR-it, teksa këta të fundit tentonin të siguronin hyrjen e kryetarëve në ndërtesat komunale.

Përplasjet përfshinë përdorimin e gazit lotsjellës dhe granatave të shokut nga forcat e sigurisë, ndërsa protestuesit kundërpërgjigjeshin me gurë, shishe, kokteje molotovi dhe mjete të tjera të rënda ku si rezultat, dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it u lënduan.