BotaKurioziteteTop Lajme

Iu ngatërrua parashuta, parashutisti mbetet i varur nga aeroplani (Video)

Shpërndaje

Një hedhje rutinë me parashutë në Queensland të Australisë u shndërrua në një situatë të rrezikshme kur parashuta rezervë e një parashutisti u hap aksidentalisht dhe u ngatërrua në bishtin e avionit, duke e lënë atë të varur në 4.5 kilometra lartësi, njofton Byroja Australiane e Sigurisë së Transportit (ATSB).

Ngjarja ndodhi më 20 shtator, ndërsa një avion Cessna 208 Caravan mbante një pilot dhe 17 parashutistë për një kërcim formacioni me 16 persona. Kameramani doli i pari, por gjatë hedhjes së parashutistit të parë, leva e hapjes së parashutës rezervë u kap në fletët e avionit, duke shkaktuar hapjen e saj të menjëhershme.

Forca e parashutës së hapur e tërhoqi parashutistin prapa, duke e goditur kameramanin dhe duke e bërë që të binte në rënie të lirë. Parashutisti u përplas me stabilizuesin horizontal të avionit dhe parashuta u mbështoll rreth pjesës së bishtit, duke e lënë të bllokuar. Piloti, fillimisht pa dijeni për situatën, ndjeu ndryshime të papritura në fluturim dhe më pas u informua se dikush ishte varur në bisht.

Shumica e parashutistëve u hodhën menjëherë nga avioni, ndërsa dy prej tyre panë parashutistin e ngecur teksa përdorte një thikë me grep për të prerë 11 litarët e parashutës rezervë. Ai u lirua pas rreth 50 sekondash, por parashuta kryesore u ngatërrua me mbetjet e saj. Vetëm pasi litarët kryesorë u shkëputën plotësisht, parashuta funksionoi normalisht, duke i lejuar atij të ulej i sigurt në tokë. Parashutisti pësoi lëndime të lehta në këmbë.

Edhe pse avioni pësoi dëmtime në stabilizuesin horizontal, piloti arriti ta kontrollonte dhe ta ulte në aeroportin Tali. Ai ishte i përgatitur të hidhej me parashutë emergjence në rast nevoje.

Pas incidentit, Klubi i Rënies së Lirë i Far North vendosi ta bëjë të detyrueshme mbajtjen e një thike me grep për të gjithë parashutistët.

“Një thikë me grep mund t’i shpëtojë jetën një parashutisti në rast të hapjes së parakohshme të parashutës rezervë,” deklaroi drejtuesi i ATSB-së, Angus Mitchell, duke theksuar rëndësinë e kujdesit ndaj pajisjeve gjatë daljes nga avioni.

Pamjet e incidentit treguan parashutën e mbështjellë rreth bishtit të avionit, ndërsa parashutisti u shpëtua falë reagimit të shpejtë dhe pajisjes së tij shtesë.