MaqedoniTop Lajme

Izet Mexhiti: Kongresi i BDI-së, shfaqje pa përgjegjësi dhe pa reformë

Shpërndaje

Pas Kongresit të fundit të BDI-së, reagimi i Izet Mexhitit ishte i drejtpërdrejtë dhe pa ekuivoke, duke e cilësuar këtë ngjarje si një teatër politik të organizuar për të fshehur debaklin zgjedhor dhe mungesën totale të përgjegjësisë, njofton albazone media.

Sipas tij, në vend të reflektimit serioz dhe llogaridhënies për humbjen e pësuar, kongresi u shndërrua në një shfaqje formale me mesazhe të zbrazëta dhe “tema madhore”, të përdorura si mbulesë për dështimin dhe shmangien e pyetjes thelbësore: kush mban përgjegjësi për humbjen e zgjedhjeve?

Reagimi i plotë:

Kongres – teatër pas debaklit të pësuar zgjedhor në të cilin askush nuk u thirr dhe nga askush nuk u kërkua asnjë përgjegjësi politike.
Në vend të reflektimit, kongresi- teatër shpërndau pamflete me “tema madhore” për të mbuluar dështimin por akoma më keq- për të mos diskutuar për çështjen thelbësore: kush mban përgjegjësi për humbjen e zgjedhjeve?!
Sot pamë riciklimin e emrave të vjetër të cilët Kongresi- teatër tentoi t’i prezantojë me paketim të ri duke e quajtur kësisoji procesin e centrifugimit reformë. Por, një rrobë e larë nuk është një rrobë e re!
Prandaj, në kushte të një procesi kontrovers të delegimit të delegatëve e pa fije transparence për procesin nominues dhe kandidues, Kongresi shndërrohet në farsë çfarë ishte e sotmja.
Pa llogaridhënie të mirëfilltë dhe pa përgjegjësi politike reforma është vetëm pro forma ndërsa Kongresi është vetëm teatër me kukulla.